Pyetja:

Si ka mundësi që muslimani ta bëjë që Pejgamberi ﷺ të jetë më i dashur tek ai se çdo send tjetër në këtë botë?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Dashuria ndaj Pejgamberit ﷺ varet prej imanit të besimtarit: nëse imani i tij shtohet, shtohet edhe dashuria e tij ndaj Pejgamberit, sepse kjo dashuri është ibadet dhe afrim tek Allahu, andaj Sheriati e ka bërë këtë dashuri prej gjërave të obligueshme.

Prej Enesit transmetohet se ka thënë: Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk do të besoj asnjëri prej jush derisa të jem më i dashur tek ai se prindi i tij, fëmija e tij dhe të gjithë njerëzit.” [1]

Kjo dashuri mund të përfitohet me njohjen e disa gjërave:

1Ky njeri është i dërguar prej Allahut, e ka zgjedhur Allahu mbi të gjitha krijesat që t’a transmetojë Mesazhin e Tij, ndërsa Allahu e ka zgjedhur këtë njeri për shkak të dashurisë dhe kënaqësisë së Tij ndaj tij. Në qoftë se Allahu nuk ishte i kënaqur me të nuk do ta kishte zgjedhur të jetë i Dërguar i Tij ﷺ, andaj ne duhet ta duam atë që e don Allahu dhe të kënaqemi me atë me të cilin është i kënaqur Allahu dhe ta dijmë se ai është “miku” i Allahut…

2Ta dijmë pozitën e tij dhe se ai është njeriu më i mirë ﷺ.

Ebu Hurejra thotë: Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë jam zotëriu i bijve të Ademit në Ditën e Gjykimit, i pari të cilit do t’i hapet varri, i pari i cili do të ndërmjetëson dhe i pari të cilit do t’i pranohet ndërmjetësimi”. [2]

3Ta dijmë se është ballafaquar me sprova dhe sfida të ndryshme me qëllim që të na transmetoj neve Fenë, gjë të cilën e ka realizuar. Duhet t’a dijmë se Pejgamberi ﷺ është maltretuar, rrahur, ofenduar dhe prej tij janë distancuar njerëzit më të afërt, e kanë akuzuar se është i çmendur, gënjeshtar, magjistar, e kanë luftuar, e kanë nxjerur nga vendi dhe i kanë mbledhur ushtritë kundër tij.

4T’i pasojmë Sahabet në dashurinë e tyre ndaj Pejgamberit ﷺ, sepse ata e kanë dashur më shumë se pasuritë dhe fëmijët e tyre, bile e kanë dashur më shumë se vetet e tyre, ja një shembull nga e kaluara e tyre:

– Enesi ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ, dhe rrojtorin i cili e rruante (kokën), ndërsa shokët e tij u sillnin rreth tij dhe nuk donin që asnjë qime të bie, përpos se në dorën e ndonjërit prej tyre.” [3]

5Të pasohet rruga e tij, qoftë në vepra, apo në thënie dhe të jetë Sunneti  i tij metodologji e besimtarit, sistem të cilit do t’i përmbahet në jetë, t’i jep përparësi mendimit dhe urdhërit të Pejgamberit ﷺ para çdo mendimi dhe çdo urdhëri.

Pastaj t’a pason Akiden (Besimin) e shokëve të tij, pastaj Akiden e gjeneratave që kanë ardhur më pas dhe ta pason Akiden e çdo dijetari të ehli Sunnetit i cili i ka pasuar gjeneratat e para në besimin e tij, jo atë i cili ka pasuar bidatxhinjtë [4] dhe veçojmë prej tyre Rafidhat (Shia’at), sepse ata janë të vrazdhë ndaj Pejgamberit ﷺ dhe u japin imamëve të tyre përparsi ndaj Pejgamberit dhe i duan ata më shumë se atë.

Lusim Allahun që të na dhuroj dashuri ndaj Pejgamberit ﷺ dhe ta bëjë atë më të dashur për ne sesa fëmijët, prindërit, familjet, apo vetet tona!

Allahu e di më së miri.

Përktheu: Ali Ashani

Islamqa.info

———————————

[1] Buhariu (15) dhe Muslimi (44).

[2] Muslimi (2278).

[3] Muslimi (2325).

[4] Pasuesit dhe praktikuesit e risive në fe. Sh.P.