Pyetja:

Kam dy pyetje:
1. Kur bie fjala për Zotin, kam një profesoreshë që më thotë se ku e ke parë ti Zotin, e unë aty ngec. Si mund ta bind për këtë gjë?
2. Disa herë më thotë se çdo gjë është krijuar vetvetiu.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vërtet polemika dhe dialogu i nxënësit me profesorin është shumë i vështirë, kjo për shkakun se rangu i tyre nuk është i njëjtë, prandaj edhe është vështirë të arrihet deri tek e vërteta, posaçërisht nëse kjo e vërtetë është në anën e nxënësit.
Kur bëhet fjalë për besimin, atëherë kjo është edhe më e vështirë, pasi shumë nga mësuesit dhe profesorët që mbajnë mendime mosbesimi dhe ateizmi këtë e kanë si pasojë e frymës në të cilën ata janë zhvilluar e shkolluar. Shumë prej tyre nuk kanë lexuar e as shfletuar ndonjë libër që flet për besimin që nga koha kur kanë qenë nxënës dhe ndiqnin ligjëratat e profesorit të lëndës së “marksizmit” në shkollë. Si rezultat i njohurive të cekëta që kanë në këtë fushë, ata dinë të jenë shumë të nxehtë, të ashpër e të vrazhdë me nxënësit dhe arma më e fortë e tyre është ngritja e dy-tri pyetjeve shterpë të këtilla. Dhe me këtë pretendojnë se nxorën në shesh një të “vërtetë” që e dinin moti!
Sido që të jetë, të flasësh për fenomenin e këtyre njerëzve që mbajnë ditarin në dorë nevojiten trajtime të shumë aspekteve, si nga ana shoqërore, psikologjike, historike, duke i shtjelluar etapat në të cilat kanë kaluar, etj., por është e nevojshme me këtë rast të themi se kemi edhe shumë mësues dhe profesorë të cilët i kanë tejkaluar këto gjëra dhe tani krahas të qenët besimtarë të denjë, mundohen të ndikojnë edhe të nxënësit e tyre në përmirësimin e botëkuptimeve të gabuara në raport me besimin.
Kurse përgjigja ndaj pyetjes: “A e ke parë Zotin?!”, është shumë e thjeshtë. Ju pyeteni atë se njeriu a duhet ta besojë vetëm atë që sheh?! Nëse përgjigjet se kështu duhet, atëherë do të detyrohet t’i mohojë edhe gjërat më të rëndomta që beson çdonjëri, si mendja e njeriut, shpirti, etj.. Prandaj ky parim tek i cili ajo pretendon se bazohet, të parën që do të kundërshtojë është vetë ajo.
Përgjigja më e mençur ndaj kësaj profesoreshe në lidhje me gjërat që i beson, por nuk i sheh, do të ishte se mendjen dhe shpirtin nuk kemi mundësi t’i shohim, por ne shohim shenjat dhe gjërat që aludojnë për ekzistimin e tyre. Lëvizja e trupit aludon se ai trup ka shpirt, kurse njeriu që sillet drejt dhe jep ide të shëndosha aludon se ka mendje dhe kështu me radhë… Atëherë, edhe njeriu që nuk e ka parë Allahun e Lartësuar me sy, ka parë mrekullitë e Tij; kemi parë universin, i cili zotëron një rregull të jashtëzakonshëm dhe secili trup qiellor lëviz në mënyrë precize dhe nuk ndeshet me trupat e tjerë. Shih çfarë thotë Allahu i Lartësuar:

“Për ata është argument edhe nata, prej së cilës largojmë ditën, kurse ata mbesin në terr. Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit, të Dijshmit (Allahut). Edhe Hënës i kemi caktuar (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harku (rrem i hurmës së tharë). As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën, e as nata para ditës po secili noton në një galaksion.” (Jasin, 37-40)

Këto argumente dhe argumente të tjera të shumta aludojnë për ekzistimin e Zotit të Plotfuqishëm dhe këtë nuk mund ta mohojë askush përveç atyre që nuk shfrytëzojnë mendjen e tyre dhe nuk largojnë nga vetja e tyre kryelartësinë dhe fanatizmin. Gjithashtu edhe pretendimi se çdo gjë është krijuar nga vetja është vetëm një përgjigje të cilën as ajo vetë nuk e pranon dhe beson. Prandaj, disa ateistë të cilët e kanë kuptuar se kjo përgjigje është e pakuptimtë, kësaj i janë përgjigjur me thënien se këto gjëra i krijoi natyra. Këta ateistë, të cilët u munduan të japin përgjigje pak më të pranuar se e para, u quajtën “natyralistë”. Por në fakt ata me këtë vetëm se shtuan devijimin e tyre. Ata në një anë mohuan Zotin si Krijues të tyre dhe në anën tjetër ia veshën e përshkruan atributet e Zotit natyrës. Kështu që mosbesimi ka forma dhe lloje.
Lusim Allahun e Lartësuar të na i hapë zemrat tona për të vërtetën dhe të na ruajë nga devijimet e njerëzve në përgjithësi! Amin!

Alaudin Abazi