Pyetja:
Vdiq nëna e gruas sime dhe kjo ishte një goditje e madhe për të gjithë ne, por në veçanti për gruan time, e cila u trishtua jashtë mase.
***
Përgjigjja:
Kush është më i dashur për gruan tënde? Nuk dua të të pyes ty cili është njeriu më i dashur për ty, sepse besoj që përgjigja jote është e qartë, përderisa je i kujdesshëm dhe po pyet. Por kërkoj të pyesësh gruan tënde. Kush është më i dashur për gruan tënde, mamaja e saj apo Profeti i Allahut –ﷺ? Kush është më i dashur për ne? Baballarët tanë, nënat tona, të shtrenjtët tanë; apo i Dërguari i Allahut ﷺ?
Profeti ﷺ ka thënë: “Kush dëshiron të ngushëllohet le të ngushëllohet me mua (me vdekjen time, me humbjen time).” O ti që të ka rënë një fatkeqësi! Që të ka vdekur një i shtrenjtë! Nëse dëshiron të ngushëllosh veten tënde kujto të Dërguarin e Allahutﷺ. Profeti ﷺ na mëson ne duke na thënë: “Kush dëshiron të ngushëllohet le të ngushëllohet me mua.”
Dhe dije se Allahu na jep ne të gjithëve lajmin e vdekjes sonë dhe thotë: “S’ka dyshim (o Muhammed) se ti je i vdekur dhe ata janë të vdekur.” (Zumer: 30)
Të gjithë do të vdesim! Dhe durimi duhet të jetë në çastin e parë. Dhe këshilla ime është që të bësh durim dhe të thuash: “…Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.” (Bekare: 156) dhe “E Allahut ishte ajo që morri dhe e Atij ishte ajo që dha.”
Kur i themi dikujt që i ka vdekur një i shtrenjtë: “E Allahut ishte ajo që morri dhe e Atij ishte ajo që dha.” Çfarë kuptimi ka kjo? Sikur unë të të jap diçka në ruajtje: një xhaketë, një libër, pastaj ta kërkoj të ma kthesh përsëri. A është e qortuar kërkesa ime? Jo, sepse ajo është e imja. Kur ti e ngushëllon dikë çfarë i thua: “E Allahut ishte ajo që morri.” të dha diçka dhe e morri përsëri. Prandaj kur dëshiron të ngushëllosh veten tënde, thuaj: “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.” Siç thotë Allahu në Kuran: “Pastaj u kthyen tek Allahu, Mbrojtësi, Miku, i Dashuri i tyre i vërtetë.”
Kur i hipën makinës tënde dhe nisesh për udhëtim, çfarë thua? Kur bën duanë e udhëtimit, çfarë thua? “I Patëmeta është Ai që na e nënshtroi neve këtë dhe ne nuk do të ishim të aftë ta bënim këtë (pa ndihmën Tënde o Zot) dhe ne tek Zoti ynë do të kthehemi.” Kur është në udhëtim për diku njeriu, dikur do të kthehet. Në mënyrë që t’ia kujtosh vetes se ti në këtë dynja je udhëtar dhe do të kthehesh tek Allahu. Prandaj thotë: “I Patëmeta është Ai që na e nënshtroi neve këtë dhe ne nuk do të ishim të aftë ta bënim këtë.” dhe ky udhëtim të kujton ty udhëtimin që je duke bërë (çdo ditë) je duke shkuar drejt Botës Tjetër, prandaj tha pas kësaj në suren Zukhruf: “dhe ne tek Zoti ynë do të kthehemi.”
Prandaj kur njeriut i vdes një njëri i shtrenjtë, e kujton veten: “Ne jemi të Allahut.”
Unë jam i Allahut! Dhe jam një plaçkë e Tij e lënë në këtë dynja.
Ç’është vdekja? Vdekja nuk është zhdukje! Shpirti yt është i burgosur në një burg! Ky burg është trupi yt! Vdekja do të thotë: çlirimi i shpirtit prej trupit! Dhe pastaj jeton një jetë tjetër!
Shiko drejtësinë e Zoti tonë: Kur ti lind, del nga barku i nënës tënde dhe ti qan ndërsa ata që janë rreth teje qeshin. Besimtari kur ndahet nga kjo jetë qesh, ndërsa ata që janë përreth tij qajnë. Në mënyrë që të realizohet drejtësia. (Në fillim ju qeshët dhe unë qava, ndërsa tani ju po qani dhe unë po qesh! Dhe kështu bëhemi të barabartë.) Që të realizohet drejtësia!
Kur ti ja kujton vetes se besimtari kur vdes, ajo që gjen tek Allahu është më e mirë dhe e përhershme, fatkeqësia e tij lehtësohet. Kur ti lutesh për të vdekurin në namazin e xhenazes, çfarë thua? Thua: “Dhe zëvendësoja me një shtëpi më të mirë se shtëpia që kishte, dhe familjarë më të mirë se ata që kishte, dhe bashkëshort më të mirë se ai që kishte.” Ai që vdes ka shtëpi, familje dhe bashkëshort dhe ata janë më të mirë se këta që kishte këtu. Sepse janë si ai, besimtarë si ai. Ndërsa në këtë dynja besimtari mund të sprovohet me grua (burrë) jo të mirë, apo familjarë të këqij që nuk është i kënaqur prej tyre. Prandaj ai që i kupton këto realitete atëherë vdekja bëhet më e lehtë për të, fatkeqësia e saj zbutet. Dhe Allahu i Lartësuar e di më mirë!
Shejh Mesh’hur el Hasen
Përktheu: Emin Bilali