Pyetja:

Unë jam një djalë që dëshiroj të martohem, por nuk kam mundur të martohem deri tani, jo për shkaqe materiale, por për shkak se unë nuk kam më besim te gratë, qofshin edhe të mbuluara sipas sheriati.

***

Përgjigjja:

Së pari: është detyrë për robin që të ketë mendim të mirë për njerëzit! Dhe ai që ka mendim të mirë për njerëzit Allahu do t’i japë fund të mirë! Dhe (e kundërta) ai që ka mendim të keq për njerëzit, është frikë se do t’i mbyllet jeta keq!

Ai që përzihet me të prishurit (në moral) do të gjejë të këqija të shumta, ndërsa ai që shoqërohet me të devotshmit, do të gjejë mirësi të shumta. Sepse ashtu siç ka të prishur në shoqëri, po ashtu ka edhe të devotshëm dhe të ruajtur. Ekzistojnë – me mirësinë e Allahut – të pastërtit dhe të pastërtat dhe, të devotshmit të cilët e madhërojnë urdhrin e Allahut. Kjo është diçka e njohur. Allahu – i Madhëruar në lartësi – ka ruajtur shumë prej djemve dhe vajzave të reja, me mirësinë dhe bujarinë e Tij të madhe.

Prandaj këshilla ime për ty është që të largohesh nga shoqërimi me të prishurit dhe të zhvendosesh tek shoqëria e mirë, të devotshmit e zgjedhur. Dhe të shikosh jetën që bëjnë ata dhe madhërimin që ata i bëjnë urdhërave dhe porosive të Allahut të Lartmadhëruar. Dhe tu qëndrosh afër atyre. E nëse gjendesh në vendet e mohimit, të dalësh prej tyre dhe të jetosh në vendet islame. Dhe të jetosh me muslimanët.

Sepse ekziston e mira në këtë ummet, dhe për këtë falënderimi i takon Allahut. Dhe po ashtu ekziston edhe dëlirësia dhe pastërtia, me mirësi të Allahut. Dhe shikimi tek njerëzit me syrin e akuzës dhe se origjina tek ata është që nuk janë të ndershëm dhe të ruajtur, dhe se ata janë të ndotur me ndytësi dhe papastërti (në moralet e tyre), në një përgjithësim të tillë ka gjynah për njeriun, dhe në të ka mendim të keq për njerëzit. Dhe Allahu i Lartësuar e di më së miri.

Shejh Mesh’hur Hasen

Përktheu: Fatjon Isufi