Pyetja:

Suneti i pastër, apo thënë ndryshe hadithi i Pejgamberit të Allahut ﷺ, kohë pas kohe u ekspozohet sulmeve të ashpra nga disa pseudoshkencetar, pseudoreformist dhe pseudoliberalist në mendime, si dhe shumë njerëz tjerë të cilët vetes i ngjesin lloj-lloj epitetesh për t’u treguar të mëdhej para lexuesve të cilët nuk e njohin esencën e tyre, dhe mund disa prej tyre të mashtrohen pas këtyre epiteteve. Sot, poashtu lexojmë që disa të kalibrit të tillë, i mbushin faqet e revistave me akuza ndaj hadithit dhe transmentuesve, poashtu ndaj të drejtës islame dhe juristëve islamë, umetit islam dhe historisë së umetit si dhe ndaj gjeneratës së parë të lavdishme. Por, nuk ka kush ua demnaton tezat shpifësve të këtillë, ua shpalon turpet dhe e sqaron kotësinë e tezave të tyre.

A mund të shpresojmë për një sqarim tuajin i cili do të na qetësojë dhe do tua mbyll gojat shpifësve të tillë të gënjeshtrave, atyre që shtirren mendjemëdhej në tokë pa të drejtë dhe që shpifin ndaj Allahut, pejgamberit të tij dhe dijetarëve islamë gënjeshtra me qëllim?

***

Përgjigjja:

Dëshiroj që ta rehatoj vëllaun e ndershëm i cili pyeti me atë se suneti pejgamberik dhe hadithet e Pejgamberit të Allahut, janë si ma mirë, dhe këto lapsa injorant e të dyshimtë, nuk do të mund ta lëvizin sunetin aspak, aq sa mundet era ta lëviz nga vendi kodrën e madhe. Sado që të bëjë zhurmë e pa vërteta në ndonjë periudhë, dije se shumë shpejtë do të shuhet, dhe do të mbetet vetëm zëri i të vërtetës. Allahu e ka thënë të vërtetën në ajetin: ” Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket.” [1]

Tezat e këtilla i ka demantuar imam Shafiu, disa tjera i ka demantuar Ibn Kutejbe etj. Por, ne në këtë kohë, ende shohim se ata që mbajnë mendime të këtilla, fshihen si urithat, e pastaj dalin përsëri në sipërfaqe.

Mirëpo, unë nuk kam rastisur si ky person, për të cilin tregon edhe vëllau i cili pyet, si dhe disa injorant tjerë të kalibrit të tillë, të cilët e bashkuan injorancën flagrante dhe shpifjen e qartë, të shpifin aq tepër.

Disa nga akuzuesit e këtillë-të cilët thirren në shkencë, por nuk i takojnë asaj-, pandehin se dijetarët islamë, kur donin ta lejojnë diçka që e ka ndaluar sheriati, apo të anulojnë diçka që e ka obliguar sheriati, shpifnin për këtë hadith. Zoti na ruajtë, çfarë shpifje dhe papërgjegjësi shkencore!

A mund t’i mveshet njeriut si Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Theuriju, Lejth ibn Sa’di, Euzaiju, Ahmed Ibn Hanbeli, Ebu Davudi apo mësuesit e tyre, dhe mësuesit e mësuesve të tyre, si: Seid ibn El-Musejjib, Seid ibn Xhubejr, Atau, Haseni, Zuhriju, Alkame, Esved ibn Zejdi, Ibrahim En-Nehaiju, Mesruki si dhe shumë bjeshkë të mëdha të diturisë dhe devotshmërisë, akuza të këtilla, gjegjësisht se kanë shpifur dhe gënjyer me qëllim për të dërguarin e Allahut, e të sajojnë hadithe nga mendja e tyre me qëllim që të lejojnë dhe të ndalojnë çka u thonë epshet e tyre?!!!

Në një rast tjetër, ky akuzues mashtrues [2], thotë: ”Njerëzit në të kaluarën, kur donin që të përsosin ndonji dispozitë të sheriatit në dritë të ndryshimeve dhe transformimeve në shoqërinë islame, shpiknin hadithe, pastaj ia mveshnin, pastaj të njejtat ia adresonin të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me qëllim që ta legjitimojnë atë që kishin planifikuar…Mirëpo, qeveritë e sotme nuk mund ta stimulojnë ndonji jurist islamë që të shpik një hadith të transmentuar prej Is’hak ibn Nasrit, ky prej Jahja ibn Ademit, ky prej ibn Ebu Zaides, ky prej babait të vetë, ky prej Esved ibn Jezidit prej Ebu Musa Esh’arijut e ky prej të dërguarit të Allahut ﷺ se ka thënë: Le mos të martojë dikush prej jush një grua tjetër përskaj gruas së tij të parë”.

Këtë e tha pseudoshkollari i përmendur i cili është duke plasur nga të pavërtetat, dhe shpif ndaj juristëve islamë dhe duke trilluar gënjeshtra për historinë e shkencës dhe trashigimisë islame.

Nuk ka patur juristë të mirëfilltë, i cili meriton të quhet fekih-jurist islam, i cili ia ka lejuar vetes, apo dikuj tjetër që të trillojë për të dërguarin e Allahut ﷺ, kur dihet se ai ka thënë: ”Kush gënjen për mua diçka me qëllim, le të përgadisë për vete një ulëse prej zjarri.” [3]

Ata të cilët ia lejuan vetes të trillojnë hadithe, duke synuar në këtë mënyrë t’i afrohen Allahut, nuk kanë qenë dijetar, por kanë qenë asketë injorantë, poashtu, hadithet që i trilluan të zënit në gojë, nuk kanë qenë në fushën e hallallit dhe haramit dhe sqarimin e dispozitave, por kanë qenë për të stimuluar për punë të mira dhe të frikojnë nga veprimet e liga, për të shpikur rrëfime, këshilla etj.

Por, ata nuk u lanë të lirë, sepse dijetarët islamë iu kundërvunë duke e zbuluar mashtrimin e tyre, i demantuan gjërat e pa baza, sqaruan se feja e Allahut është përsosur nga ana e Allahut me të vërtetën, për atë edhe nuk ka nevojë të plotësohet me diçka të kotë.I është thënë dijetarit të shquar Abdullah ibn Mubarek: Çdo të bëhet me hadithet e trilluara? Ai tha: Për to do të kujdesen kokat gjeniale të umetit!

Të themi hipotetikisht se një person ka trilluar një hadith sikur ai që e përmendi autori i përmendur, dhe këtij hadithi ia ka çpikur një zinxhir transmentuesish të përcjellë prej Ebu Musa Esh’arijut, Ibn Mes’udit, Ibn Omerit, Ebu Hurejres apo dikuj tjetër, dhe pastaj këtë hadith e përhapë. A ja merr mendja autorit në fjalë se juristët dhe hadithologët do të pranojnë çdo hadith që vjen prej rruge dhe që e përsërit një anonimus të cilit nuk i dihen as mësuesit as nxënësit?

Ai që i thotë këto fjalë të pa krypë, të cilat edhe i janë lejuar të botohen në gazeta ditore, është plotësisht i pa ditur për bazat, parimet dhe kriteret e forta shkencore të cilat i vunë dijetarët islamë në këtë sferë dhe i trashiguan brez pas brezi.

Dijetarët miratuan kritere dhe vunë baza e rregulla të cilat u shëndrruan në disciplinë madhore, bile në disa disciplina shkencore, e që njihen me emrin “ulumu-l-hadith” (shkencat e hadithit).

Ibn Salahu në librin e tij “El-Mukaddime” përmend 65 disciplina, apo si që i quan ai shkenca të hadithit.Këtë më pas e transmentuan edhe dijetarët e më vonshëm, si: Neveviju, Irakiju dhe Ibn Haxheri, ndërkaq Sujutiju në komentin e tij të veprës “Et-Tekrib” të Nevavit, shtoi edhe disa lloje tjera dhe arriti deri në 93 lloje apo disciplina shkencore. [4]

Kështu, rregulla e parë ka qenë që mos pranohet asnji hadith pa sened-zinxhir transmentuesish.Nuk pranohet që dikush të thotë: I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë, nëse personi përkatës nuk është shok i Pejgamberit ﷺ (sahab) i cili e ka parë të dërguarin e Allahut dhe ka dëgjuar prej tij. [5]

Sahabet kanë qenë të drejtë, këtë ua atribuoi Allahu xh.sh., në librin e Tij dhe në disa vende në Kur’anin famëlartë, Ai i lavdëroi sahabet, sikur që është rast me fundin e kaptinës El-Fet’h, ndërkaq në veçanti i lavdoi muhaxhirët (mekasit musliman që emigruan), ensarët (medinasit musliman) dhe ata që morrën pjesë në besëlidhjen nën pemë (ridvan). [6] Poashtu, ata i cilësoi të drejtë edhe i dërguari i Allahut në disa nga hadithet e tij. [7] Për drejtësinë e tyre dëshmoi edhe jetëshkrimi i tyre, për ta dëshmoi edhe historia, gjegjësisht se ata e ruajtën Kur’anin dhe Sunetin dhe ua mbartën gjeneratave të më vonshme, e përhapën fenë e Allahut në anë të ndryshme të botës dhe ishin gjenerata më e lavdishme që e njohi njerëzimi deri më sot.

Historia nuk ka shënuar forma të përkushtimit ndaj kauzës, heroizëm të shkëlqyeshëm, moral të lartë dhe devotshmëri për ithtarët e ndonji pejgamberi, sikur që ka shënuar për sahabët. [8]

Ata të cilët vijnë pas sahabeve, patjetër t’ua mbështesin hadithin sahabeve, tregon prej cilëve e ka dëgjuar, ashtu që të arrijë deri te sahabiju.

Hallkat e transmentuesve, patjetër të lidhen, ashtu që çdo njëri transmentues patjetër ta ketë marrë hadithin drejpërdrejtë nga ai që e ka transmentuar. Zinxhiri i transmentuesve nuk pranohet, nëse bie një hallkë e zinxhirit nga fillimi, mesi apo fundi i zinxhirit të transmentuesve.

Zinxhirin me hallka të lidhura transmentuesish, dijetarët muslimanë e quajtën: El-Isnad apo Es-Sened, ndaj të cilit ishin shumë të kujdesshëm që nga kohët e hershme, thënë më saktë:që kur u paraqitën divergjencat dhe sherret në kohën e Othmanit r.a. dhe u paraqitën njerëzit e pasioneve dhe grupacionet e ndryshme.

Në lidhje me këtë, tabi’iu [9] i shquar, juristi dhe hadithologu i famshëm Muhamed ibn Sirin, thotë: ”Nuk pyetnin për zinxhirin e transmentuesve, por kur ndodhën sherret politike, thonin: Na tregoni emrat e transmentuesve. Me këtë rast, atyre që ishin pasues të rrugës së Pejgamberit u merreshin transmentimet, ndërkaq atyre që ishin shpikës të risive (bidatçinj), u refuzoheshin thëniet.” [10]

Imam Abdullah ibn Mubareku thotë: ”Isnadi është prej fesë, e sikur mos kish qenë isnadi kush të don, do të thoshte çka të don. ”[11]

Ibn Sirini dhe tjerë, thonë: ”Hadithet janë fe, për atë shiqoni nga kush e merrni fenë tuaj.” [12]

Në disa transmentime të përcjella prej Ibn Sirinit thuhej: ”Këto hadithe janë pjesë e fesë.” [13]. Kjo do të thotë se kjo thënie ka qenë e njohur para Ibn Sirinit, gjegjësisht në kohën e sahabeve.

Dijetarët të cilët merren me studimin e historisë dhe feve, e kanë të njohur mirë se kushtëzimi i isnadit të saktë dhe të pa ndërprerë për transmentimin e diturive fetare dhe diturisë së Pejgamberit s.a.v.s., është veçori me të cilën u dallua umeti islam nga popujt tjerë, sikur që përmend Ibn Hazmi, Ibn Tejmije dhe tjerë.

Lexuesi i cili është larg kulturës islame, le mos të mendojë se ata pranonin çdo isnad i cili u përmendej si dhe se çdo njëri ka patur mundësi t’u përpilojë atyre një zinxhir transmentuesish i cili do të lidhje me të sahabijun i cili ka dëgjuar prej të dërguarit të Allahut ﷺ, por ata e pranonin isnadin i cili i ka të plotësuar disa kushte të domosdoshme:

a-Që çdo njërit transmentues t’i dihet identiteti dhe biografia, për atë edhe nuk pranohej senedi në të cilin thuhej:Na ka rrëfyer filani prej një njeriu, apo nga një plak i filan fisit, apo prej një njeriu të besueshëm, pa mos e përmend emrin e tij.

Nuk pranohej isnadi në të cilin kishte një transmentues i cili nuk njihej se kush është? Prej nga është? Cilët janë mësuesit e tij? Cilët janë nxënësit e tij? Ku dhe kur ka jetuar? Ku dhe kur ka vdekur? Këtë e quanin me identitet të pa njohur.

Poashtu, nuk pranohet transmentuesi të cilit i dihet identiteti, por nuk i dihet gjendja dhe karakteri, a është i mirë apo i keq, pozitiv apo negativ.Këtë e quajnë me karakteristika(gjendje) të pa njohur, apo të fshehtë.

b-Që të jetë i drejtë, dhe kuptimi i drejtësisë lidhet për fenë e transmentuesit, moralin dhe besnikërinë e tij për atë që e transmenton dhe e përcjell, ashtu që fjalët dhe veprat e tij të dëshmojnë se ai është njeri që e ka droe Allahun xh.sh., ka frikë prej llogarisë që do ta jep te Ai, nuk e lejon gënjeshtrën, shtimin e gjërave apo shtrembërimin e tyre. Ata kanë qenë shumë të kujdesshëm ashtu që e refuzonin hadithin për dyshimin ma të vogël që lindte në biografinë e përcjellësit.Ndërkaq, kur e kuptonin se ai ka gënjyer në ndonji fjalë të tij, e refuzonin transmentimin e tij dhe hadithin e tij e quanin të trilluar apo të shpifur, edhe nëse nuk ka gënjyer në transmentimin e hadithit, edhe përskaj asaj se e dinin se gënjeshtari mund ta thotë të vërtetën. Drejtësinë e kanë sqaruar me pastërtinë nga mëkati dhe gjërat jo të kulturshme.

Prej manifestimeve të drejtësisë është që mos të bëjë mëkate të mëdha, mos të bëjë në kontinuitet mëkate të vogla. Bile edhe ma tepër se kjo, ata krahas devotshmërisë e vunë kusht edhe largimin e tij nga gjërat e ulta të cilat i përbuzin njerëzit, fjala vjen si ngrënia në rrugë, apo ecja pa kapuç në kohën e tyre, etj.

Pra, nuk kanë mjaftuar që të largohet transmentuesi nga gjërat që i injoron feja, por këtyre ua shtuan edhe gjërat që nuk shihen nga njerëzit të hijshme, ashtu që të jetë i pranuar si njeri nga Allahu dhe nga njerëzit.

Nuk është në rregull të thuhet se disa njerëz mund të tregohen të drejtë dhe të kujdesshëm ndaj traditave, ndërkaq zemrat e tyre të jenë të shprazura, shpirti i prishur, dhe ai e thotë atë që nuk e vepron, e fsheh atë që nuk e shpreh, njëjtë sikur hipokritët të cilët tentojnë ta mashtrojnë Allahun dhe besimtarët.

Realiteti dëshmon se gënjeshtra patjetër të del në shesh dhe hipokrizia të zbulohet. Aliu, (Allahu qoftë i kënaqur me të!), thotë: Dredhitë e zemrës manifestohen në fytyrë dhe llapsuzet e gjuhës.

Poeti thotë:

Teshat e hipokrizisë janë të tejdukshme,

Nëse veshesh me to, dije se je i zhveshur.

c-Transmentuesi nuk konsiderohet i besueshëm dhe i pranuar, thjesht vetëm se është i drejtë dhe i devotshëm, por drejtësisë dhe besnikërisë duhet t’ua bashkangjet edhe precizitetin “dabt”.

Kjo, ngase transmentuesi mund të jetë në piedestalin më të lartë të devocionit, nënshtrimit dhe përkushtimit fetar, por mund mos jetë preciz në atë që e transmenton, ashtu që mund të gabojë shumë gjatë transmentimeve, apo mund të harroj dhe t’i ngatërrojë hadithet mes veti.

Për këtë, transmentuesi patjetër duhet të jetë preciz, qoftë në mbamendje, ashtu që të jetë i forte në memori, apo në shkrim, që të shkruaj drejt.

Hadithologët kanë vënë kush për hadithin e saktë që transmentuesi të jetë në shkallën më të lartë të precizitetit dhe përsosmërisë, ashtu që të ketë siguri në mbamendjen dhe transmentimet e tij.Këtë ata e identifikojnë perms krahasimit të vetë transmentimeve të tij njëri me tjetrin, dhe të transmentimeve të tij me transmentimet e dijetarëve tjerë të besueshëm.

Shpesh ndodh që një transmentues të jetë preciz në mbamendje dhe i saktë në transmentime, por me hyrjen e tij në moshë, dobësohet memoria dhe ka probleme në mbamendje. Hadithologët e shpallin transmentues të dobët me këtë rast, dhe thonë: Në fund të jetës së tij i ka ngatërruar gjërat, bile edhe transmentuesit tjerë që përcjellin prej tij, i kanë klasifikuar me shenja dhe dëshmi të ndryshme, dhe thonë: Kjo është transmentuar prej tij para se t’i ngatrrojë gjërat, për atë edhe pranohet, kjo është transmentuar pasi i ka ngatrruar gjërat, apo nuk dihet kur është transmentuar, për këtë edhe refuzohet.

d-Që hallkat e zinxhirit të jenë të lidhura dhe të harmonizuara prej fillimit të zinxhirit të transmentuesve e deri në fund të tij. Për këtë, nëse bie ndonji hallkë prej fillimit, mesit apo fundit të zinxhirit të transmentuesve, hadithi është i dobët-i pa pranuar, pa marrë parasyshë se transmentuesit e tij mund të jenë në shkalla të larta të drejtësisë dhe precizitetit. Bile, edhe kur janë në pyetje disa tabi’in të njohur dhe autoritete të pa kontestueshme në shkencë, si Hasen El-Basriju, Atau, Zuhriju dhe tjerë, nëse thonë: I Dërguari i Allahut ﷺ, ka thenë, pa mos e përmendur sahabijun-shokun e Pejgamberit ﷺ i cili e ka dëgjuar hadithin prej të dërguarit të Allahut drejpërdrejtë, nuk i pranohet hadithu, sepse ka mundësi ta ketë dëgjuar hadithin prej një tabi’iju tjetër, ndërkaq edhe ky i dyti mund ta ketë dëgjuar prej një tjetri, e kështu me rathë. Nëse nuk dihet ndërmjetësi, nuk pranohet hadithi.Këtë lloj hadithi i quajnë “mursel”, edhe pse disa juristë islamë, këtë lloj e pranojnë me kushte të veçanta.

Kjo konsiston në faktin që çdo transmentues duhet ta ketë marrë hadithin drejpërdrejtë nga transmentuesi i mëparshëm, pa ndërmjetës. Poashtu, transmentuesi nuk guxon ta fsheh ndërmjetësin në bazë të asaj se ndërmjetësi është i besueshëm për të, sepse mund që tjerët të kenë vërejtje për të, bile thjesht vetëm fshehja e ndërmjetësit ngjall dyshime në transmentuesin e fshehur.

Nëse mësohet se disa transmentues të drejtë dhe të pranuar në përgjithësi, disa here kanë fshehur disa ndërmjetës duke përdorur shprehje jo decide, si: ”transmenton prej filanit”, këtë e kanë konsideruar mashtrim “tedlis”, për atë edhe prej haditheve të transmentuesit të këtillë e pranojnë vetëm atë transmentim ku thotë: Më ka rrëfyer filani, apo më ka lajmëruar filani, apo e kam dëgjuar filanin, etj. Këtë e kanë thenë për Muhamed ibn Is’hakun, autorin e njohur të jetëshkrimit pejgamberik. Ndërkaq, nëse transmentuesi thotë: përcjelli prej filanit, hadithi është i dobët, sepse shprehja “prej” flet se transmentimin mund ta ketë marrë jo drejpërdrejtë, sikur që flet se mund ta ketë marrë edhe drejpërdrejtë. Kurse dilemat e këtilla prej transmentuesit të këtillë, e dobësojnë hadithin.

e-Mos të jetë hadithi i llojit “shadh”. Me këtë nocion, aludohet në hadithin që e transmenton një përcjellës i besueshëm duke kundërshtuar ata që janë më të besueshëm se ai. Shembull për këtë është hadithi të cilin e transmenton një transmentues i besueshëm sipas një formulimi të caktuar, apo me pjesë të shtuara në tekst, por të njejtin e transmenton një transmentues tjetër më i fortë dhe më i besueshëm se ai me formulim tjetër dhe pa këtë pjesë të shtuar.

Poashtu, në këtë lloj bën pjesë edhe hadithi të cilin e transmenton një transmentues me një tekst, ndërkaq të njejtin, dy apo ma tepër transmentues tjerë, e përcjellin me tekst të ndryshëm.Në këtë rast, pranohet hadithi i atij që është ma i besueshëm dhe quhet “el-mahfudh” (i ruajtur), ndërkaq tjetri refuzohet dhe quhet “shadh”(devijuar), edhe pse transmentuesi i hadithit te ata është i besueshëm dhe i pranuar.

ë-Mos përmbajë hadithi ndonji mangësi që e dëmton hadithin, qoftë kjo mangësi në zinxhirin e transmentuesve apo në tekstin e tij.

Këto mangësi i njohin ekspertët e kësaj lëmie, të cilët janë të thelluar në hadithe dhe i njohin mire zinxhiret dhe tesktet e hadithit.Kjo, ngase hadithi mund të duket fillimisht se është i pranuar dhe nuk ka kurrnji pengesë, por kur e analizojnë ekspertët e mirëfilltë, gjejnë mangësi të cilat e diktojnë dobësimin e tij.Për këtë edhe u zhvillua disciplina shkencore e njohur “el-ilel”. [14]

Nga ajo që u tha, shihet qartë se nuk ka vend për pohimet e disa anonimusave nga kjo shkencë se disa njerëz mund të shpikin zinxhire të sakta, bile shumë të sakta të cilëve zinxhire do t’u bashkangjet hadithe me të cilat do të lejojë dhe do të ndalojë gjëra, do të obligojë apo do të lirojë nga obligimi çka të dojë, dhe pastaj këto hadithe do t’ua ofrojë juristëve dhe hadithologëve, dhe ata do ta pranojnë pa problem. Këto janë fjalë të njeriut që është zhytur në paragjykime, bile në injorancë totale, sepse është injorantë, ndërkaq kujton se është i ditur.

Allahu e thotë të vërtetën, dhe Ai udhëzon në të vërtetën.

Dr. Jusuf el-Kardavi

Përktheu: Dr. Bashkim Aliu

—————————–

[1] Shih demantin e përmendur në pjesën e parë të Fetva bashkëkohore me titull:Në mbrojtje të Sahihu-l-Buharit.

[2] Revista “El-Musavvir”, 9-12-1983. Autor është Husejn Ahmed Emin.

[3] Hadithin e transmentojnë një numër i madh sahabesh prej të dërguarit të Allahut ﷺ. Për këtë, hadithologët janë unanim se hadithi është i gradës mutevatir.

[4] Shih: Es-Sujuti, Tedribu er-ravi fi sherhi tekribi En-Nevavi, vëll.II, f.386 dhe më pas.Verifikuar nga Abdu-l-Vehab Abdul-latif.Botimi i dytë, 1385h-1966, botuar nga:Matba’atu es-sea’de, Kajro.

[5] Konsulto për definicionin e sahabiut:El-Hatib El-Bagdadi, El-Kifaje fi ilmi er-rivaje, f.49-52, botim i Hajderabadit, dhe lloji i tredhjetë e nëntë në veprën e Ibn Salahut El-Mukaddime.

[6] Shih: Ajeti i 29 i kaptinës El-Fet’h, ajeti i 100 i kaptinës Et-Teube, ajetet 8 dhe 9 i kaptinës El-Hashër, ajetet 58 dhe 59 të kaptinës El-Haxh dhe ajeti 18 i kaptinës El-Fet’h.

[7] Në këtë kontekst, na mjafton hadithi i njohur: ”Njerëzit ma të mirë janë ata që jetojnë në kohën time, pastaj ata që do të pasojnë, pastaj ata që do të pasojnë pas këtyre…” Hadithin e transmenton Buhariu dhe Muslimi me formulime të përafërta prej Ibn Mes’udit dhe Imran ibn Husajnit, e transmenton Muslimi prej Aishes dhe Ebu Hurejres, poashtu hadithin e transmenton Tirmidhiu dhe Hakimi prej Imran ibn Husajnit dhe Taberaniu e Hakimi prej Xha’ëde ibn Hubejres. Për këtë, Sujutiju thotë: Hadithi i përgjason haditheve mutevatir. Shih:El-Munavi, Fejdu-l-Kadir, vëll.III, f.478-479. Botim i Daru-l-ma’ërife, Bejrut 1391h-1972.Poashtu shih:Sahihu-l-xhami’i-s-sagir ve zijadatuhu, vëll.III, hadithet nr.3283, 3287, 3289, 3290. Verifikues:Muhamed Nasiruddin Albani.

[8] Konsulto librat që janë shkruar në veçanti për sahabet, si:El-Istia’b e autorit Ibn Abdu-l-Berr(vdiq 463h), Usdu-l-gabe e Ibn Ethirit (vdiq 63h), El-Isabe e Ibn Haxherit (vdiq 852h), Tabekatu Ibn Sa’d (vdiq230h).Shih për drejtësinë e sahabeve:El-Hatib El-Bagdadi, El-Kifaje, f.46-49, poashtu shih librin bashkëkohor për cilësitë e tyre:Hajatu es-sahabe e autorit El-Kendehlevij, etj.

[9] Tabi’ij:është ai i cili ka marrë dituri prej sahabeve.Në këta aludon ajeti: ” dhe ata që i pasuan me mirësi ” (Teube 100).

[10] Transmentimin e përmend Muslimi në hyrje të Sahih-ut të tij dhe Tirmidhiju në veprën Ilelu-l-xhami’ë.

[11] Ibn Ebu Hatim Er-Razi, Kitabu-l-xherhi ve et-ta’ëdil, vëll.I, f.16.Botim i Hajderabadit 1371h-1952.

[12] Burimi i përmendur, f.15, dhe këtë e përmend me isnadin e tij prej Ibn Sirinit dhe tjerë.

[13] Po aty.

[14] Kosulto për këtë librin:I’lelu-l-hadith, e Dr.Humam Abdurrahim Seid, i cili në fakt është studim metodologjik në dritë të librit të Ibn Rexhebit “I’lelu et-Tirmidhi. Botues:Daru-l-a’devij, Amman.