Pyetja:

Jam një grua e sëmurë. Në disa raste ndodh që të qaj nga shkaku i sëmundjes. A konsiderohet qarja ime si kundërshtim i caktimit të Allahut të Madhëruar në mënyrë të pavullnetshme dhe biseda me të afërmit rreth sëmundjes sime, a konsiderohet si e tillë?

***

Përgjigjja:

Qarja me lot, por pa zë, është e lejuar në raste të tilla, sepse Pejgamberi ﷺ, kur i vdiq djali i tij, Ibrahimi, tha: “Syri loton, zemra dëshpërohet, mirëpo nuk themi përveç se atë që e kënaq Allahun. Ne më të vërtetë jemi të dëshpëruar nga ndarja jote, o Ibrahim”. Po ashtu, janë transmetuar hadithe të shumta që kanë të njëjtin kuptim.

Biseda me të afërmit për sëmundjen tënde është e lejueshme, mirëpo në të njëjtën kohë duhet të falënderosh Allahun e Madhëruar e të kërkosh prej Tij që të të shërojë sa më shpejt.

Ne, nga ana jonë, lusim Allahun e Lartmadhëruar që të të sjellë shërim sa më të shpejt dhe të këshillojmë që të durosh dhe të shpresosh tek shpërblimi i Allahut të Lartmadhëruar, i Cili thotë: “Me të vërtetë Allahu i shpërblen pa kufi, ata që durojnë”. (Zumer: 10)

Ndërsa Pejgamberi ﷺ thotë: “Allahu ia fshin gjynahet muslimanit me çdo shqetësim, hidhërim, ofendim, sëmundje apo fatkeqësi që i vjen atij, bile edhe me gjembin që i hyn në këmbë”.

Si dhe: “Allahu i sprovon me fatkeqësi ata që i do.”

Shejh Ibën Bazi