Pyetja:
E harroj shpesh “rabena lekel hamd” pas rukusë! A duhet të fillojë prej fillimit apo duhet bërë sevi sexhde?
***
Përgjigjja:
Nëse citati “RABBENA VE LEKEL HAMD (Zoti ynë, Ty të takon falënderimi absolut!)” që thuhet pasi të kthehemi nga rukuja dhe para se të shkojmë në sexhde, në namaz, harrohet, nuk ka nevojë që namazi të përsëritet sipas të gjithë dijetarëve. Sa i përket sexhdes së harresës (sevi sexhdes), në rast se ky citat harrohet të thuhet, dijetarët ndahen në dy mendime. Mendimet e tyre ndahen për shkakun se disa e konsiderojnë recitimin e kësaj thënie vaxhib – të obligueshëm e disa e konsiderojnë sunnet – të preferuar. Ata që i thonë sunnet janë shumica e dijetarëve, hanefinjtë, malikinjtë dhe shafiinjtë dhe sipas tyre nëse namazliu harron ta thotë citatin “RABBENA VE LEKEL HAMD”, nuk duhet të bëjë as sevi sexhde.
Kurse sipas dijetarëve të medhhebit Hanbeli, thënia e citatit “RABBENA VE LEKEL HAMD” është vaxhib dhe në rast se namazliu e harron, duhet të bëjë sevi sexhde. Pra, namazi nuk ka nevojë të përsëritet sipas të gjithë dijetarëve nëse nuk thuhet “RABBENA VE LEKEL HAMD”, kurse duhet të bëhet sevi sexhde sipas hanbelinjve, e jo edhe sipas të tjerëve.
Vërejtje: Nëse gjatë një namazi, harrohet të thuhet më shumë se në një rekat, pra harrohet ndoshta në katër rekate, nuk duhet të bëhet më shumë se njëherë sevi sexhde, nëse kjo gjë mbështetet mbi mendimin e medhhebit hanbelij.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku