Pyetja:

A mund të na tregoni pak rreth çështjes së niqahut në bazë të parimeve islame. Çfarë të drejta kanë dy të fejuar derisa janë pa martuar dhe kur duhet të vendoset niqahu sipas sunetit, menjëherë pas fejesës ose në martesë?

***

Përgjigjja:

Niqah është kontrata martesore që bëhet mes mashkullit dhe femrës, që u lejohet martesa. Në bazë të parimeve islame, niqahu bëhet kur në praninë e dy dëshmitarëve të drejtë dhe të devotshëm djali bën ofertën për martesë dhe vajza e pranon atë ofertë duke u pajtuar për sasinë e caktuar të mehrit që obligohet djali t’ia jap vajzës.

Oferta mund të bëhet edhe prej vajzës dhe duhet që djali ta pranojë atë ofertë. Kur kryhet niqahu çifti konsiderohet i martuar dhe i gëzojnë të drejtat dhe obligimet e të martuarve. Përderisa të fejuarit nuk janë të kurorëzuar, nuk ju lejohet atyre asgjë nga bisedat dhe kontaktet ndërmjet tyre. Gjatë fejesës të fejuarit konsiderohen të lidhur njëri me tjetrin dhe se ata e presin momentin e përshtatshëm për martesë. Nuk ka të drejtë femra që të fejohet me tjetër djalë përderisa ajo është e fejuar e as nuk lejohet që dikush ta kërkon dorën e saj për fejesë derisa ajo që më parë është e fejuar. Fejesa e ka kuptimin e një intervali, ku të fejuarit mund të njihen më shumë, përmes familjeve të tyre dhe kështu mund të vendosin për hapat e mëtutjeshëm. Nëse asnjëri nuk ka vërejtje në tjetrin, lidhin kurorën në mes tyre dhe bëhet martesë e plotfuqishme. Me statusin e fejesës ka të drejtë sikurse mashkulli, po ashtu edhe femra që të kërkojnë ndarje nga njëri-tjetri pa dëmshpërblim. Përderisa pas kurorëzimit, femra nuk ka të drejtë të ndahet nga burri pa pajtimin e tij. Nëse burri inicion ndarjen, obligohet që menjëherë t’i paguajë borxhet e mehrit. Niqahu është vet martesa, kurse dasma (të cilën ne vetëm atëherë e quajmë martesë) është publikim i atij niqahu. Ai bëhet atëherë kur çifti pajtohen të martohen dhe i pranojnë të drejtat dhe obligimet e bashkëshortësisë. Çifti mund të mbeten të fejuar gjatë kohë pa u kurorëzuar, por nuk ju lejohen ndejat dhe takimet si të tillë. Në momentin kur kurorëzohen pra bëhen niqah, lejohen ndejat dhe takimet e tyre dhe mbetet edhe publikimi i atij niqahu (dasma) dhe transferimi i vajzës në shtëpinë e bashkëshortësisë. Kështu që periudha në mes të niqahut dhe dasmës nuk është mirë të jetë shumë e largët, por të publikohet menjëherë.

Vërejtje:

Ekziston vullneti tek shumë të rinj të fejuar që të kalojnë ndërmjet veti një jetë të përbashkët duke mos e pranuar epitetin si të martuar. Është e vërtetë se sipas parimeve të Sheriatit ekziston mundësia që me bërjen e niqahit, të fejuarit marrin statusin e të martuarëve, por me kusht që ky status të mos iu pengojë dhe të mos ngurrojnë të trajtohen si të tillë. Nëse kjo nuk ndodh kështu, atëherë niqahu i lejon komunikimet dhe ndejat e tyre për dallim prej fejesës, por nuk i legjitimon edhe marrëdhëniet seksuale sipas shumë dijetarëve bashkëkohorë, sepse në rast të ndarjes apo vdekjes së burrit, dëmtohet dukshëm personaliteti i femrës së kurorëzuar, e cila në popull nuk kishte më shumë se epitetin e fejesës.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku