Pyetja:

Unë e dua një djalë i cili nuk është shumë i ngjashëm me mua. Ai më ka dashur një kohë, e tash kur përsëri jemi pajtuar, mendimin e tij nuk e di, s’e di a më do mua përsëri. Unë për të ndiej diçka më tepër edhe pse mendoj se është gjynah për të humbur kohë me të. Po si të mendoj për të ardhmen kur ai nuk i respekton shumë kushte të fesë islame?!

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, si mund ta lëshoni veten aq lehtë dhe ta doni një djalë e të bini në kontakt, të hidhëroheni e të pajtoheni kohë pas kohe, për pa e pasur asgjë dhe pa pasur lidhje të ligjshme të kurorëzimit?! Është absurd dhe ju nuk duhet ta lejoni veten të bini në këso lloj provokimesh të shejtanit të mallkuar e ta shëmtoni jetën tuaj në vazhdimësi. Edhe më absurde duket çështja kur ju e pohoni vet se ai nuk respekton shumë kushte të fesë, gjë që nënkupton se ai djalë nuk e ka frikë Allahun. Vallë, si guxoni të mbani lidhje me një njeri të tillë, i cili mund t’ju çojë rrugëve të papastra dhe t’ua ndyn personalitetin dhe biografinë tuaj duke ua njollosur moralin tuaj dhe në këtë mënyrë t’ua nxin jetën juve dhe familjes suaj. Keni frikë Allahun dhe largohuni nga djemtë e huaj në përgjithësi, edhe fetarë në qofshin, sepse e keni haram të mbani kontakte me ta. Vajza duhet ta dijë se brengën më të madhe për martesën e saj dhe rehatinë e saj e kanë prindërit e saj, më shumë se vet ajo. Andaj nuk duhet që vajzat shumë të brengosen për martesën e tyre, sepse edhe fetarisht tjetërkush kujdeset për atë çështje. Vajzat nuk kanë nevojë që çdo djalë që e shohin në rrugë, shkollë apo gjetiu, ta shikojnë me sy dashurie. Kjo gjë e prish të menduarit e saj dhe e prish qetësinë dhe rehatinë bashkëshortore edhe pas martesës. Andaj apeloj me tërë qenien time që vajzat mos të marrin hapa për martesë pa konsultime paraprake me prindërit dhe të afërmit e saj. Ata më shumë se ajo e dëshirojnë një dhëndër të moralshëm, të edukuar, të dijshëm, të pashëm, të pasur etj. Në rastin tuaj motër, largohuni nga ai që nuk e respekton fenë e Allahut e mos e lidh zemrën për atë që nuk e lidh zemrën e tij për Allahun! Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku