Pyetja:

A është obligim të jepet zekat në pasurinë e të miturve, dhe kush është përgjegjës për dhënien e zekatit të pasurisë së tyre?

***

Përgjigjja:

Zekati është obligim edhe në pasurinë e personave të mitur. Ky është qëndrimi i tre dijetarëve:Malikut, Shafiut dhe Ahmedit.

Nga ana tjetër, Ebu Hanife mendon ndryshe. Sipas tij, zekati është adhurim-ibadet i cili është obligim vetëm për ata që janë përgjegjës ligjërisht, të moshës madhore dhe të mençur. Për këtë, zekati nuk është obligim në pasurinë e të miturve.

Mendimi i tre dijetarëve është ma i drejtë, ngase zeqati është adhurim që ka një natyrë specifike, gjegjësisht është një obligim material që i referohet pasurisë, e në obligimet që i referohen pasurisë, janë të njejtë edhe të vegjlit edhe të mëdhenjtë, edhe të mençurit edhe njerëzit me të meta mentale. Në një hadith autentik është porositur që ata të cilët kanë në mbikëqyrje jetimë, le të tregtojnë me pasuritë e tyre që mos i harxhojë zekati. Ky transmetim është përcjellur prej Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili këtë ia atribuon të Dërguarit të Allahut ﷺ Këtë transmetim e kanë cilësuar të saktë hafidh Irakiju dhe të tjerë. Ky transmetim është përcjellur edhe si thënie e Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të), dhe është autentik.

Mirëpo, duhet të plotësohen kushtet e nisabit që e obligojnë zekatin, gjegjësisht pasuria duhet të jetë e shkarkuar prej borxheve dhe të teprojë pas mbulimit të nevojave të veta elementare. Kështu, nëse i mituri apo jetimi ka nevojë për këtë pasuri me qëllim që t’i mbulojë harxhimet e tij elementare, ku bën pjesë edhe arsimi, e nga të ardhurat e tij nuk tepron asgjë, atëherë ajo pasuri nuk konsiderohet se tepron nga nevojat e tij themelore. Në këndvështrimin juridik, kjo pasuri krahasohet me ujin për të cilin ka nevojë njeriu për pije apo për gatim. Edhe nëse ka ujë të këtillë, lejohet të merret tejemum, ngase de jure ai konsiderohet se nuk ekziston.

Për sa i përket përgjegjësisë së nxjerrjes së zekatit, përgjegjës është veliji-tutori i të miturit, apo pala përgjegjëse për investimin dhe ruajtjen e pasurisë së të miturit, si që është Drejtoria e Çështjeve të të Miturve në Katar, apo entet sociale të këtij karakteri në vendet tjera.

Dr. Jusuf el Kardavi, ” Fetava mua’sire-Fetva bashkëkohore pjesa: III”

Prej arabishtes:Bashkim Aliu