♦️Pyetje: Një besimtare, për shkak të lehonisë, nuk e ka agjëruar Ramazanin e para dy viteve dhe ende nuk i ka zëvendësuar ato ditë. Nëse ajo nuk arrin t’i zëvendësojë ato ditë para muajit të Ramazanit, a përbën problem nëse i agjëron ato në dimër? A duhet të shoqërohet zëvendësimi i ditëve edhe me kompensim (dhënie ushqimi për të varfërit) për shkak të vonesës?
Allahu ju shpërbleftë me të mira!
♦️Përgjigja: Allahu i Madhëruar ka kërkuar nga ata që nuk e agjërojnë Ramazanin në kohën e tij, si: i sëmuri, udhëtari, lehona dhe gruaja me cikël menstrual, që t’i zëvendësojnë ditët e humbura pas Ramazanit.
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se afati për zëvendësimin e tyre është deri në Ramazanin pasues, pra, personi ka të drejtë të zgjedhë brenda vitit ditët e zëvendësimit.
➖ Ndërsa, kur dikush e shtyn zëvendësimin përtej këtij afati pa arsye të vlefshme, atëherë kjo detyrë nuk mbetet më çështje zgjedhjeje, por duhet të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur.
▪️Sa i përket pyetjes nëse duhet dhënë ushqim për të varfrit për shkak të vonesës në zëvendësimin e agjërimit:
➖ Përgjigja: Nuk kërkohet dhënie ushqimi për të varfrit nëse personi e zëvendëson agjërimin. Ai që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani duhet të bëjë njërën nga dy gjërat: ose t’i agjërojë ato ditë nëse është në gjendje, ose t’i kompensojë me ushqim nëse nuk mund të agjërojë. Nuk kërkohen të dyja njëkohësisht.
Kjo është edhe fetvaja e Shejh Albanit – Allahu e mëshiroftë!