Rritja e çmimeve dhe vendosja e çmimeve arbitrare

 

Tregon Ebu Hurejre: Dikush erdhi tek i Dërguari dhe i tha: “O i Dërguari i Zotit, caktoju çmim mallrave për në!” I Dérguari iu përgjigj: “Jo, nuk do të caktoj çmime, por do t’i lutenm Allahut.” Pas tij erdhi një tjetër me kërkesën se: “Janë rritur çmimet, sikur t’i caktoje ti çmimet e gjërave?” Atëherë i Dërguari iu përgjigj duke thënë: “Jo, Allahu e zgjeron dhe e ngushton riskun. Unë dua ta takoj Allahu pa i pasë rënë në qafë askujt.” (Ebu Davudi)

Origjinali i shprehjes “caktoji çmimet” në tekstin e hadithit është te’sir. Te’sir do të thotë t’i përcaktosh e t’i kufizosh çmimet. Përgjigja që morën disa sahabë ndaj kërkesës për ndërhyrjen e të Dërguarit të Zotit përballë rritjes së çmimeve, tregon se në sistemin ekonomik islam, parimisht vlejnë normat e konkurrencës dhe të tregut të lirë. Refuzimi i të Dërguarit Fisnik për të ndërhyrë në çmime dhe parapëlqimi që tregu të marrë formë sipas ligjeve hyjnore-natyrore është tregues i këtij parimi. Por dihet se mallrat që u kërkuan t’u caktohej çmimi në atë kohë ishin mallra të domosdoshme importi. Në një situatë të tillë, ndërhyrja në çmime nënkupton dobësimin e jetës ekonomike, ndërprerjen e importit dhe nxitjen e mungesës së mallrave e të tregut të zi. Prandaj dhe i Dërguari Fisnik ka theksuar se tregu i brendshëm duhet të fitoj stabilitet duke thënë se: “Kush sjell mall nga jashtë, ka fituar risk e kush stokon, është mallkuar.”(Ibën Maxhe)

Mosndërhyrja në raportin e fitimit e gjallëron ekonominë, bën që njerëzit që punojnë me zell e dëshirë dhe ndihmon në zhvillimin e profesioneve e të aftësive. Por në raste të jashtëzakonshme si lufta apo zitë, autoriteti shtetëror, nisur nga interesi publik mund të vendosë çmime arbitrare për të mos lejuar abuzime si stokimi.

Sipas disa dijetarëve, ku bën pjesë edhe Imam Maliku, mallrat nuk duhen shitur as për më pak as për më shumë se çmimet e tregut. Çmimet e tregut janë çmime që krijohen si pasojë e konkurrencës mes pjesës më të madhe të tregtarëve. Në arritjen e tyre në këtë përfundim ka luajtur rol kjo masë e Omarit: Kalifi Omar, gjatë kontrollit të tregut i pa të lira çmimet e Hatib b. Ebi Belteas. Kjo sepse qe përhapur lajmi se po vinte një karvan me rrush nga Taifi. Karvani duhej t’i gjente të lira çmimet e të vazhdonte rrugën drejt Sirisë. Duke e nuhatur këtë ide të tregtarëve, kalifi i tha Hatibit t’i ngrinte çmimet në nivelin normal. Por pasi e rrahu dhe e diskutoi çështjen më vonë, e la të lirë brenda kushteve të konkurrencës.

Hatib b. Ebi Beltea (vd. 30/650) ishte nga muslimanët e parë dhe me origjinë nga Jemeni. Ishte i hijshëm dhe me inteligjencë të hollë. Tregohet se pati fituar shumë në udhëtimet që pati bërë në Egjipt e vende të tjera për tregti dhe se la pas më shumë se katërmijë dinarë dhe shtëpi e prona të shumta.

Nga fjalia e fundit e hadithit kuptojmë se vendosja e çmimeve arbitrare në kushte normale përbën një ndërhyrje të paligjshme në pasurinë e njerëzve dhe, për rrjedhojë, padrejtësi. Në raste të tilla, autoritetet në vend të ndërhyrjes në treg duke i ngrirë çmimet apo duke vendosur çmime tavan, duhet t’i këshillojnë tregtarët që të tregohen të butë e të dhembshue me njerëzit.

Prof. Dr. Zekeriya Güler

*Shkëputur nga libri “Morali i biznesit dhe tregtisë në 40 hadithe”