Pyetja:
Nëse një burrë i martuar ka bërë zina me një femër tjetër, çfarë dënimi ka dhe si duhet të reagojë që ta shlyejë këtë mëkat kaq të rëndë?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Zinaja (amoraliteti) është një vepër shumë e shëmtuar dhe në Islam konsiderohet nga mëkatet më të mëdha në të cilën mund të bjerë njeriu. Por kjo nuk është kështu vetëm në fenë islame, amoraliteti është një vepër e refuzuar në të gjitha fetë, sistemet dhe ideologjitë. Kjo për faktin se dëmi i kësaj praktike është i shumanshëm në ato shoqëri, në të cilat legalizohet e përhapet.
Allahu i Lartësuar rreshtoi një varg dënimesh për shkelësin e kësaj ndalese në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai në Kuran thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri (amoralitet). E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet …”(Furkan, 68-69)
Imam Buhariu në koleksionin e haditheve të tij përcjell se natën e Israsë dhe Miraxhit i Dërguari ﷺ, i ka parë disa burra dhe gra të zhveshura në një ndërtesë në formë furre, poshtë saj ishte e gjerë, kurse lartë e ngushtë dhe kur zjarri ndizej poshtë tyre, ata ngriheshin dhe bërtisnin, kur ndalej ata ktheheshin. Kur i Dërguari ﷺ, pyeti për ta, mori përgjigje se ata ishin meshkujt dhe femrat të cilët kanë bërë amoralitet.
Ky dënim është për ta para Ditës së Gjykimit, ndërsa pas kësaj ata i pret dënimi edhe më i madh i zjarrit të xhehenemit, lusim Allahun e Lartësuar të na mbrojë nga ky zjarr. Zinanë, krahas që është një ndalesë e madhe në Islam, atë e refuzon mendja dhe ndërgjegjja e shëndoshë. Dëgjo çfarë thuhet në këtë hadith: Vërtetohet në Musnedin e Imam Ahmedi se Ebu Umame, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Një djalosh i ri vjen te Muhamedi ﷺ dhe i thotë: “O i Dërguar i Allahut ma lejo zinanë?”. Atij iu vërsulën disa duke e kritikuar, ndërsa Muhamedi ﷺ, i tha: “Afrohu.” Ai u afrua dhe iu ul pranë. I Dërguari ﷺ, i tha: “A ke dëshirë që kjo t’i ndodhë nënës sate?”
Ai tha: “Jo, për Zotin, o i Dërguar i Allahut.”
I Dërguari ﷺ, i thotë: “Edhe njerëzit e tjerë nuk e kanë dëshirë këtë për nënat e tyre.”
I thotë: “A do që kjo t’i ndodhë vajzës sate?”
Ai thotë: “Jo, për Zotin, o i Dërguar i Allahut.”
“Edhe njerëzit nuk e duan këtë për bijat e tyre.”
I thotë: “A do që kjo t’i ndodhë motrës tënde?”
Ai thotë: “Jo, për Zotin, o i Dërguar i Allahut.”
“Edhe njerëzit nuk e duan këtë për motrat e tyre.”
I thotë: “A do që kjo t’i ndodhë hallës tënde?”
Ai thotë: “Jo, për Zotin, o i Dërguar i Allahut.”
“Edhe njerëzit nuk e duan këtë për hallat e tyre.”
I thotë: “A do që kjo t’i ndodhë tezës sate?”
Ai thotë: “Jo, për Zotin, o i Dërguar i Allahut.”
“Edhe njerëzit nuk e duan këtë për tezet e tyre.”
Pastaj i Dërguari ﷺ, vuri dorën mbi të dhe bëri lutje: “O Zoti im, falja mëkatet këtij, pastroja zemrën dhe ruaja epshin!” Pas kësaj djaloshit më nuk i bënte përshtypje asgjë (nga ajo që kërkonte t’i lejohej).
Nga këto citate sheriatike që i përmendëm vërejmë se ky mëkat është shumë i madh, ndërsa nëse këtë haram e bën personi i martuar, atëherë është edhe më keq e më me rrezik. Prandaj personi i cili e ka shkelur këtë mëkat kaq të madh duhet menjëherë të ndërmarrë hapat në vijim:
1. Duhet të pendohet, t’i kthehet Allahut të Gjithëmëshirshëm dhe ta kuptojë se ka shkelur një ndalesë mjaft të madhe për të cilin duhet të mbajë dert, gajle dhe të mërzitet. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos iu qasni kurvërisë (zinasë), se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!” (Isra, 32). Ndërsa i Dërguari ﷺ, thotë: “Nuk bën zina zinaqari derisa të jetë besimtar gjatë kryerjes së zinasë.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
2. Ta braktisë atë mëkat menjëherë.
3. Pasi ta ketë braktisur atë mëkat, duhet të vendosë se kurrë më nuk do t’i kthehet kësaj rruge të keqe.
4. Të ndiej keqardhje për veprën e bërë dhe të mos e përmend kurrë atë, e nëse i kujtohet në vete, atëherë duhet të ndiejë pikëllim e frikë nga Allahu i Lartësuar për këtë tejkalim që ka bërë. Mëkati nëse nuk digjet me zjarrin e pendimit në këtë botë, do të digjet me zjarrin e xhehenemit në botën tjetër.
Këto pika që i përmendëm njëherazi janë edhe kushtet e pendimit që duhet të plotësohen nga penduesi në përgjithësi. Nëse mëkatari që ka bërë amoralitet është penduar duke i realizuar këto kushte, atëherë shpresohet tek Allahu që t`ia ketë falur këtë gabim.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë. Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu.” (Furkan, 68-71)
Nga ky ajet kuptojmë se si Allahu i Gjithëmëshirshëm i përjashton nga dënimi ata që pendohen dhe pas pendimit rrisin besimin e tyre e bëjnë vepra të mira. Për këtë, nga penduesi kërkohet që pasi të jetë penduar, t’u përmbahet dispozitave islame duke filluar prej farzeve dhe në radhë të parë namazet, pastaj edhe të shpeshtojë veprat e mira dhe atë e fal Allahu i Plotfuqishëm. Ai thotë:
“Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud, 114). Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi