Pyetja:

Burri nuk fal namazin, e këtë vit as nuk ka agjëruar. Jam shumë e mërzitur, s’e di si të veproj!

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar, e lus Allahun që ta lehtësoj punën tënde dhe ta udhëzojë burrin tënd në Islam!

Vazhdoni me tempon dhe dinamikën tuaj në punët e hairit dhe mos u ndal nga duatë që ia drejton me sinqeritet Allahut, sepse Ai dëgjon dhe sheh! Mos mendoni se koha ju shkon mbrapa edhe nëse nuk i vëreni rezultatet e prekshme të lutjeve tuaja.
Allahu thotë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.”
(Bekare: 186)

Nëse ju mendoni se puna ju shkon huq kur burrin tuaj apo cilindo njeri e joshin fjalët dhe thirrjet e të tjerëve nga rruga e Allahut, e keni gabim. Përkundrazi ju e bëni atë që e keni obligim si muslimane, pra thirrjen në rrugën e Allahut, ndërsa rezultati dhe suksesi janë në Dorën e Tij. Allahu thotë: “Vërtet, ti nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.” (Kasas, 56)

Në rastin tuaj e kuptoj se gjendja është më e vështirë pasi bëhet fjalë për bashkëshortin, i cili nuk i nënshtrohet urdhrave të Allahut dhe në të njëjtën kohë pengon të tjerët nga përfillja e urdhrave të Allahut, në këtë rast juve. Ju përpos lutjeve dhe thirrjes që ia bëni duhet t’ia sqaroni se jeta e juaj mund të mos vazhdojë së bashku nëse ai vazhdon në atë gjendje, sepse feja e Allahut është më me prioritet në jetën e muslimanit sesa kushdo qoftë tjetër.

Motër, nëse ju keni pasur më herët njohuri për fe dhe keni pranuar ta merrni burrin në atë gjendje fetare, është gabim i yti, i cili mund ta ketë dëmin e madh, e që është ndarja nga ai nëse nuk përmirësohet. E nëse keni qenë edhe ju e painformuar për fe në kohën kur jeni martuar, por keni ndryshuar në ndërkohë, atëherë provo të gjitha mundësitë para ndarjes, për hir të fëmijëve, e nëse asgjë nuk bën dobi, kije parasysh se ju duhet t’i respektoni urdhrat e Allahut edhe nëse ju kushtojnë me ndarje. Ju nuk do të duhej të kërkoni ndarje nga ai, por do ta vendonit shaminë qoftë edhe pa dëshirën e tij, e nëse ai nuk duron por e pëlqen ndarjen, atëherë le të jetë ai i cili ju shkurorëzon e jo ju që i paraprini shkurorëzimit, pasi ti nuk e provokon atë, por e respekton ligjin e Allahut. Por gjithherë ndarja le të jetë mundësia e fundit.

Allahu e di më së miri!

Hoxhë Muhamed Dërmaku