Pyetja:

Kam disa pyetje në lidhje me xhindët. A vdesin xhindët apo jo? A jetojnë ata më gjatë sesa njeriu? A do të ringjallen xhindët ditën e Kiametit? Dhe a do futen në xhenet?

***

Përgjigjja:

Po xhindët vdesin. Bazuar në fjalën e Profetit ﷺ: “Xhindët dhe njerëzit vdesin”. [1]

Përsa i përket babait të tyre Iblisit, ai padyshim që jeton gjatë, ngase ai kërkoi nga Allahu që ta afatizojë atë deri ditën e ringjalljes dhe Allahu ia lejoi këtë. Ndërsa në lidhje me pasardhësit e tij nuk kemi dije.
Por përmendet se, në periferi të Mekës gjetën një xhindë dhe e pyetën për moshën dhe tha se: “Ka qenë në kohën kur Kabili vrau Habilin”. Allahu e di më së miri nëse kjo është e vërtetë apo jo. Por sidoqoftë kjo tregon (nëse saktësohet) se ata jetojnë shumë më gjatë se njerëzit.

Po, ata do të ringjallen dhe do të futen ne zjarr. Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

(All-llahu) Ju thotë: “Hyni në xhehennem me atë popull që ishte para jush nga xhindët dhe njerëzit (e që ishin si ju). Sa herë që një grup hyn në të, e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të të gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, këta (paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju dënimin me zjarr atyre!” (All-llahu) Thotë: “Për secilin (grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po dini”.” (Araf: 38)

Është e saktë  se do të ketë prej atyre që do të futen në xhenet. Bazuar në fjalën e Allahut në suren ‘Er-Rahman’ pasi përmend xhindët dhe njerëzit duke iu drejtuar atyre me fjalën e Tij: “E cilen te mire te Zotit tuaj po e mohoni?”

Thotë: “Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy xhenete”. (Rrahman: 46).

Dhe thotë: “Atje do të ketë virgjëresha syulura, të cilat para tyre nuk i kanë prekur as njerëz, as xhindë”. (Rrahman: 56).

E sakta është se ata do të futen në xhenet.

 

Shejh Ibn Uthejmini, “Et-Taliku ala Sahihi Muslim”,  vëll. 3

——————————————————-

[1] Buhariu dhe Muslimi.