Pyetja:
Përse floriri është i ndaluar për meshkujt? Ka dëgjuar se floriri ndikon në lëkurën e trupit, a është e vërtetë kjo? Nëse po na jepni një fakt shkencor.
****
Pergjigjja:
Në radhë të parë duhet të dimë se çdo urdhëresë apo ndalesë që vjen nga Zoti ka në të urtësi dhe arsye, pse Allahu e ka caktuar atë. Allahu çdo gjë që ka ligjëruar për njerëzit, qofshin ndalesa apo urdhëresa, janë në dobi të tij, qoftë për këtë botë apo edhe për botën tjetër. Por Allahu jo gjithmonë na e ka bërë të qartë arsyen e shumë prej urdhëresave në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por, megjithatë, për shumë nga këto urdhëresa dijtarët islam kanë arritur të shprehen për disa nga urtësitë e tyre.
Konkretisht floriri është një mjet zbukurimi në këtë botë, ashtu siç është edhe vlerë monetare. Burri për nga natyra e tij është shumë më racional sesa gruaja, kjo e bën atë më të ashpër sesa gruaja që është më emocionale dhe më e butë se ai. Të dy ata plotësojnë njëri-tjetrin dhe Allahu qëllimisht i ka bërë te tillë të ndryshëm, kështu që gruja e ka prirje të natyrshme drejt zbukurimeve dhe veshjes dhe përkujdesjes ndaj trupit, ne dallim me burrin tek i cili të tilla dukuri janë shumë më të pakta dhe madje nëse shfaqen dhe teprohen, tek njerëzit normal dhe gati në të gjitha kulturat njerëzore konsiderohen si mungesë burrërie. Kështu që është më se e natyrshme që Allahu gruas t’i lejojë të zbukurohet shumë më tepër sesa burrit, pasi në këtë mënyrë gjithsecili ruan natyren e tij. Ndërsa nëse burrat dhe gratë do të merrnin rolin e njëri-tjetrit, gjëja e parë që do të ndodhte do të ishte pikërisht ndryshimet e jashtme në sjellje dhe veshje. Allahu për të mos lejuar që as burrat t’i ngjajnë grave dhe as gratë burrave, ka caktuar dispozita të ndryshme, mes tyre lejimin e floririt dhe mëndafshit për gratë dhe ndalimi i tyre për burrat, apo lëshimi i mjekrës për burrat…etj.
Një urtësi tjetër është edhe sprova që njeriu duhet të kalojë në këtë botë karshi bukurive të kësaj bote, në veçanti burri, duke qenë se është më rezistente ndaj të tillave gjëra, Allahu e ka sprovuar me këtë gjë, duke i premtuar atij njëkohësisht se në Xhenet ai do t’i shijojë edhe këto kënaqësi dhe bukuri, si floriri apo mëndafshi, por këtu ai duhet të sprovohet. Ndërsa gratë duke qenë se janë më të dobëta në këtë drejtim nuk u është dhënë kjo sprovë nga ana e Allahut.
Pavarësisht këtyre që thamë, urtësia e përbashkët e të gjithë urdhëresave dhe ndalesave është “ushtrimi i bindjes ndaj Atij që adhurojmë”, mjafton vetëm kjo urtësi edhe nëse nuk i dimë të tjerat qe ne t’i bindemi çdo urdhëri të Zotit.
Përsa i përket asaj se floriri dëmton lëkurën, personalisht nuk di gjë. Nga ana fetare nuk jepet ndonjë arsye e tillë, ndërsa nga ana shkencore duhet pyetur ndonjë mjek specialist ose duhet kërkuar nëse ka ndonjë studim empirik në këtë drejtim.
Allahu e di më së miri.
Justinian Topulli