Pyetja:

Për gruan që martohet dhe del nga gjykimi i prindërve të saj. Çfarë është më e mira për të: tu bindet prindërve, apo t’i bindet burrit të saj?

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut Zotit të botëve!

Gruaja kur martohet i takon më tepër burrit se sa prindërve të saj. (Çështja e saj është në dorë të burrit, më tepër se sa në dorë të prindërve të saj) Dhe bindja ndaj burrit është më e detyrueshme për të. Thotë Allahu i Lartësuar: “(Gratë) e devotshme (që janë të udhëzuara ashtu siç duhet në fenë e tyre), janë ato që bëjnë vepra të mira dhe janë të bindura (ndaj Allahut pastaj ndaj burrave të tyre) dhe që ruajnë në fshehtësi çfarë Allahu i ka urdhëruar ato të ruajnë.” (Nisa: 34)

Dhe në hadithin e Profetit ﷺ ka ardhur se ka thënë: “Dynjaja është përjetim (argëtim), dhe përjetimi më i bukur në të është gruaja e devotshme, e cila: kur e shikon të kënaq, kur e urdhëron të bindet, dhe kur mungon prej saj të ruan në veten (nderin) e saj dhe pasurinë tënde.” [3]

Nga Ebu Hurejra përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Nëse gruaja fal pesëshen e saj (pesë namazet farz), e agjëron muajin e saj (Ramazanin), e ruan organin e saj intim dhe i bindet burrit të saj, do të hyjë nga cila derë e Xhennetit të dëshirojë.” [4]

Është transmetuar nga Ummu Selemeh e cila ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Çdo grua që i vdes burri dhe ai është i kënaqur prej saj, do të hyjë në Xhennet” [5]…

Nga Ebu Hurejra përcillet se Profeti ﷺ ka thënë: “Sikur të urdhëroja dikë që t’i binte në sexhdeh dikujt, do të urdhëroja gruan t’i binte në sexhdeh burrit të saj.” [6]

Ndërsa është ka transmetuar me këtë shprehje: “…do t’i urdhëroja gratë që tu binin në sexhde burrave të tyre, për shkak të të drejtave që Allahu u ka dhënë atyre (burrave) ndaj grave.” [7]

Nga Enesi përcillet se Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk i takon ndonjë njeriu që t’i bjerë në sexhdeh ndonjë njeriu tjetër. Dhe sikur t’i takonte ndonjë njeriu që t’i binin në sexhdeh njerëzit, do ta urdhëroja gruan që t’i binte në sexhde burrit të saj, për shkak të të drejtës së madhe që ai ka ndaj saj. Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im! Sikur ai (burri) të ishte nga këmbët deri te koka e tij, me plagë që rridhnin qelb dhe ujë, pastaj ajo të fillonte ta lëpinte me gjuhë, nuk do tja kishte plotësuar hakun e tij”![8]

Dhe përcillet nga Aishja se Profeti ﷺ ka thënë: “Sikur të urdhëroja dikë që t’i binte në sexhdeh dikujt, do të urdhëroja gruan t’i binte në sexhdeh burrit të saj. Dhe sikur një burrë ta urdhëronte gruan e tij që të zhvendosej nga një mal i kuq në një mal të zi, dhe nga një mal i zi drejt një mali të kuq, do të ishte detyrë për të që ta bënte atë” [9] (Hadith i dobët)

Kur erdhi Muadhi nga Shami i ra në sexhde Profetit ﷺ, atëherë Profeti ﷺ i tha: “Ç’është kjo o Muadh?!” – Ai i tha: Kur shkova në Sham i gjeta njerëzit e atjeshëm që u binin në sexhdeh (u përuleshin) peshkopëve dhe patriarkëve të tyre dhe, dëshirova që ne ta bëjmë këtë me ty (të të biem në sexhdeh) o i Dërguari i Allahut. Tha i Dërguari i Allahut : Mos e bëni këtë! Sepse nëse do të urdhëroja dikë që t’i binte në sexhdeh dikujt tjetër veç Allahut, do të urdhëroja gruan që t’i binte në sexhdeh burrit të saj. Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti i Muhamedit! Nuk e plotëson gruaja detyrimin që ka ndaj Zotit të saj, derisa të plotësojë detyrimin që ka ndaj burrit të saj! Dhe sikur ai ta kërkonte atë (në krevat) duke qenë ajo mbi samarin e devesë, ajo nuk do të duhet ta refuzonte.” [10]

Nga Talk ibn Alij përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Çdo burrë që e thërret gruan e vet për të plotësuar dëshirën e tij, gruaja duhet t’i bindet edhe nëse është në furrë (duke gatuar).[11]

Nga Ebu Hurejra përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Nëse burri e thërret gruan e vet në shtratin e tij dhe ajo refuzon të vijë dhe ai fle i mërzitur me të, (atë grua) e mallkojnë melaiket (engjëjt) derisa të gdhihet.” [12]

Dhe hadithet në këtë temë janë të shumta prej Profetit ﷺ.

Ka thënë Zejd ibn Thabit: Burri është quajtur ‘zotëri’ në Librin e Allahut – dhe pastaj lexoi fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe (ata të dy) takuan zotërinë e saj te porta.” (Jusuf: 25)
Dhe ka thënë Umer ibnul Khattab: “Martesa është robërim, prandaj le të shikojë ndonjëri prej jush se ku po e robëron fisniken (vajzën) e tij” (Le ta zgjedhë mirë zotërinë e saj)!

Profeti ﷺ ka thënë: “Silluni mirë me gratë! Sepse ato janë robëresha tek ju!”[13] Kështu që gruaja tek burri i saj i ngjan robëreshës dhe skllavit, prandaj nuk i lejohet asaj të dalë nga shtëpia e tij, veçse me lejen e tij. Pa marrë parasysh a e ka urdhëruar të dalë: babai i saj, nëna e saj, apo të tjerë veç prindërve. Dhe ky gjykim është unanim tek të gjithë imamllarët.

Dhe nëse burri dëshiron të zhvendoset me të drejt një vendi tjetër – duke zbatuar atë që ka detyrë dhe duke i ruajtur kufijtë e Allahut ndaj saj – dhe babai i saj e ndalon t’i bindet në këtë gjë, ajo e ka detyrë t’i bindet burrit dhe jo prindërve të saj. Sepse prindërit janë të padrejtë (në këtë rast), dhe nuk u lejohet atyre që ta ndalojnë atë t’i bindet një burri të tillë (që i ruan kufijtë e Allahut ndaj gruas së tij).

Gjithashtu gruaja nuk duhet t’i bindet nënës së saj, nëse ajo e urdhëron që të kërkojë divorcin prej burrit, apo që ta mërzisë atë (aq shumë) saqë pastaj ai ta divorcojë, si psh: duke i kërkuar shpenzime dhe veshje dhe dhurata (pasuri) saqë ai ta ndajë. Kështu nuk i lejohet asaj që t’i bindet ndonjërit prej prindërve të saj në rast se ata i kërkojnë që të ndahet prej burrit, nëse ai është i devotshëm ndaj Allahut në jetën bashkëshortore.
Nga Theubani përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Çdo grua që i kërkon ndarjen burrit të saj pa ndonjë shkak (të arsyeshëm fetar), e ka të ndaluar aromën e Xhennetit” [14]
Ndërsa në një hadith tjetër ka ardhur: “Ato që kërkojnë të ndahen prej burrave të tyre (pa arsye të konsiderueshme fetare), ato janë munafiket (hipokritet).” [15]

Ndërsa nëse prindërit – apo njëri prej tyre – e urdhërojnë gruan me gjëra që janë bindje ndaj Allahut – si psh: t’i ruajë namazet, të flasë të vërtetën, ta çojë në vend amanetin – dhe e ndalojnë atë nga shpërdorimi i pasurisë dhe tejkalimi i cakut në të, e të tjera si këto (porosi), prej gjërave që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, apo prej atyre që ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, atëherë është detyrë për të që tu bindet atyre në ato gjëra, edhe nëse ky urdhër i vjen prej dikujt tjetër veç prindërve. E si është puna kur ai vjen prej tyre?! (atëherë urdhëri është më përparësor për tu zbatuar).

E nëse burri e ndalon nga ajo që ka urdhëruar Allahu, apo e urdhëron për diçka që e ka ndaluar Allahu, nuk i takon asaj që t’i bindet atij në atë gjë, sepse Profeti ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim të Krijuesit”.[16]

Madje sikur zotëria ta urdhëronte robin e tij me diçka që është gjynah ndaj Allahut, nuk i lejohet atij (robit) që t’i bindet atij në gjynah. E si mund të lejohet që gruaja t’i bindet burrit të saj, apo ndonjërit prej prindërve të saj në gjynah!? S’ka dyshim se e gjithë mirësia është në bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, dhe e gjithë e keqja është në kundërshtimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Ibn Tejmije, “Mexhmuul Fetau” Vëllimi 32 (En Nikah), fq. 172-175.

 ——————————————————–

[1] Ajetin e kemi përkthyer duke u ndihmuar me tefsirin e imam Taberiut -Allahu i Lartësuar e mëshiroftë! Në fund të ajetit thotë imam Taberiu: Në ajet ka disa fjalë që nuk janë shprehur , që janë: “Silluni mirë me këto gra (të përshkruara me ato cilësi që u përmendën)”!

[2] I cili është hadith i dobët siç do të sqarohet në vijim.

[3] Fillimi i hadithit është te Muslimi (1467), ndërsa plotësimi i tij tek Nesaiu dhe e ka saktësuar Albani në “Sahihul Xhami’” (3298).

[4] Saktësoi Albani në “Sahihul xhami’” (660)

[5] Tirmidhiu (1164), Ibn Maxhe (1854), e ka dobësuar Albani në “Daif Sunen et Tirmidhij” (200)

[6] Saktësoi Albani në “Sahihul Xhami’” (5294).

[7] Ebu Davudi (2140). Saktësoi Albani në “Sahih Sunen ebi Daud”.

[8] I saktë. Transmeton Ahmedi (3/159), dhe e saktësoi Albani në “Sahihul xhami’” (7725)

[9] Dobësoi Albani në “Daif Sunen ibn Maxheh”.

[10] Ibn Maxhe (1853) dhe ka thënë Albani në: “Sahih Sunen Ibn Maxheh”: “I mirë, i saktë”.

[11] Tirmidhiu (1163), Ahmedi (4/22,23) dhe e saktësoi Albani në “Sahih Sunen et Tirmidhij”.

[12] Buhariu (3237).

[13] I mirë. Tirmidhiu (1166), Ibn Maxhe (1851) dhe Albani e konsideroi të mirë në: “Sahih Sunen et Tirmidhij”.

[14] I saktë. Ebu Davudi (2262), Tirmidhi (1191), Ibn Maxhe (2055) dhe e ka saktësuar imam Albanij – Allahu e mëshiroftë – në “Sahih Sunen ebi Daud”.

[15] I saktë. Tirmidhiu (1190), Nesaiu, Ahmedi dhe e ka saktësuar shejh Albani në “Sahihul xhami’” (6681).

[16] I saktë. Transmeton Ahmedi (5/66), Taberani dhe e ka saktësuar Albani në “Sahihul xhami’” (7520).