Pyetja:
Leximi i Kuranit në Ramazan, më mirë gjatë ditës apo gjatë natës?
***
Përgjigjja:
Transmetohet në dy Sahihat prej Ibn Abbasit, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, se ka thënë: “Pejgamberi ﷺ, ishte njeriu më bujar, ndërsa në Ramazan ishte akoma më bujar kur e takonte Xhibrili dhe ia lexonte Kur’anin. Xhibrili takohej me të për çdo natë të Ramazanit dhe ia lexonte Kur’anin.” [1].
Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Hadithi argumenton se është e pëlqyeshme leximi i Kur’anit në Ramazan dhe të tubuarit rreth tij, si dhe t’ia lexojë (apo t’ia thotë përmendësh) Kur’anin atij që e ka memorizuar më shumë. Gjithashtu, në këtë hadith ka argument se është e pëlqyeshme shtimi i recitimit të Kur’anit gjatë muajit të Ramazanit, e në veçanti gjatë netëve të tij. Kjo, sepse në hadithin e Ibn Abbasit, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, qëndron se mësimi i tij (Kur’anit) ishte natën për shkak se natën ndërpriten angazhimet, tubohet pikëllimi tek ajo dhe zemra me gjuhën janë të predispozuara për të medituar (Kur’anin), ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “E s’ka dyshim se aktiviteti i natës është fuqizues dhe fjalë më e qartë.” (El-Muzemmil: 6).
[Letaif El-Mearif, f. 246]
Përktheu nga arabishtja: Amir Shaban
————–
[1] Muslimi