Pyetja:

Si qëndron çështja me sekrecionet? A e prish abdestin kjo dukuri?
Nëse para çdo namazi pastron vendin (taharet) dhe ndërron ndërresat, merr abdest dhe gjatë namazit vëren se diçka të rrjedh, a duhet të dalësh nga namazi apo duhet të vazhdosh tutje duke pasur parasysh se kjo dukuri nuk mund të kontrollohet?
Një ditë në një faqe amerikane muslimane, “Muslim American Society”, lexova ca pyetje e përgjigje mu në lidhje me këtë çështje dhe hasa në këtë përgjigje: “Çdo sekrecion nga organi i femrës, me përjashtim të urinës, nuk e prish abdestin”, mirëpo në disa faqe në gjuhën shqipe thuhet se çdo sekrecion ndikon në prishjen e abdestit.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Pyetja që ju parashtroni është një problem shumë evident me të cilin ballafaqohen shumica e femrave që arrijnë pjekurinë. Pastaj, siç e cekët edhe ju në pyetjen e dërguar, është e mundur që femrat të cilat e kanë këtë problem të lexojnë apo dëgjojnë mendime dhe paraqitje të përgjithësuara rreth këtyre sekrecioneve, çka i bën konfuze se çfarë duhet të bëjnë. Prandaj do ta trajtojmë këtë çështje më gjerësisht duke e informuar lexuesin rreth trajtimit dhe pikënisjes së fukahave, që të largojnë paqartësitë dhe keqkuptimet. Prandaj do të flasim rreth çështjes në fjalë në katër pika.

1.  Çfarë kemi për qëllim me sekrecione të bardha

Sekrecion i bardhë apo derdhje e bardhë (dikush i emërton edhe menstruacione të bardha) është lëngu i cili rrjedh apo tajitet nga organi i femrës gjatë periudhës së pastërtisë (jashtë ditëve të menstruacioneve) dhe nuk konsiderohet çrregullim apo sëmundje. Ky lëng ka ngjyrë të tejdukshme si uji, mund të jetë i shpeshtë, te disa femra i përditshëm, madje mund të jetë edhe i vazhdueshëm (i pandërprerë). Por ka nga femrat që nuk kanë kësi sekrecionesh ose kanë fare pak. Ky sekrecion mund të tajitet edhe pa e ndier fare femra; ajo vetëm vëren lagështirë në ndërresa.

Vërejtje: Sekrecionet të cilat rrjedhin në rastet e sëmundjeve, të problemeve shëndetësore apo të cilat nuk janë të bardha (tejdukshme), por janë të përziera me ngjyrë kafe apo të kuqe etj., nuk konsiderohen sekrecione të bardha. Sekrecione jo të bardha (me ngjyrë kafe apo të kuqe) konsiderohen të ndyta me pajtueshmërinë e ulemave dhe dispozitat e saj janë të njëjta si gjatë istihadës; pastrohet vendi e rrobat dhe detyrohemi të marrim abdest, sipas konsensusit të ulemave.

2.  A janë sekrecionet e bardha të pastra apo të ndyta?

Mendimi i Imam Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, është se ky lëng nuk është i ndytë ose i papastër sikurse urina, por konsiderohet i pastër. Kjo është kështu për shkak se ky lëng tajitet nga mitra dhe nuk rrjedh nga fshikëza e urinës. Po të rridhte nga fshikëza e urinës, atëherë do të ishte e ndyrë. Ibën Abidini, i cili është njëri nga dijetarët e mirënjohur hanefi, në librin “Hashijetu Ibën Abidin” përcjell se  Ebu Hanifja, por edhe dy nxënësit e tij, Ebu Jusufi dhe Muhamedi, konsiderojnë se sekrecioni i bardhë i cili del jashtë organit të femrës është i pastër. [1]
Ky qëndrim përcillet edhe në medhhebin shafi, Imam Neveviu e përzgjedh se kjo është e sakta në medhhebin e Imam Shafiut. Kurse Ebu Kudame përcjell nga hanbelitë dy thëniet (se është ndyrësirë dhe se nuk është), por të tjerët nga dijetarët hanbeli përzgjedhin se ky sekrecion është i pastër. Gjithashtu ky qëndrim është përzgjedhje e një numri të madh të dijetarëve, pasi nuk kemi ndonjë argument që e trajton të ndytë këtë lëng.
Nga kjo kuptojmë se nuk është obligativ pastrimi i trupit dhe i rrobave të brendshme apo ndërrimi i tyre nëse ndoten me këtë sekrecion. Por fukahatë theksojnë se, në mënyrë që të mos përhapet në rroba ky sekrecion, kërkohet të vihet leckë dhe mundësisht ferma e cila ka probleme të këtilla të ruhet nga kjo.

3.  Sekrecioni i bardhë e prish abdestin

Në pikën e mësipërme sqaruam se e sakta nga mendimet e dijetarëve është se ky sekrecion nuk konsiderohet ndyrësirë, por kjo nuk nënkupton se nuk e prish abdestin. Nuk është parim thelbësor për gjërat të cilat e prishin abdestin që ajo të jetë ndyrësirë. Prandaj mendimi më i qëndrueshëm në këtë është se sekrecionet e bardha e prishin abdestin dhe nëse femra ka abdest apo është duke u falur dhe i rrjedh ky lëng, atëherë duhet ta përsërisë abdestin.
Fukahatë të cilët e kanë trajtuar këtë problematikë thonë se ky është mendim i shumicës së dijetarëve duke filluar nga hanefitë, malikitë, shafitë dhe hanbelitë. Kurse mendimi i kundërt (se sekrecionet e bardha nuk e prishin abdestin) është mendim i Ibën Hazmit nga dhahiritë. Gjithashtu, qëndrimin se ky lëng nuk e prish abdestin e përmban edhe dijetari bashkëkohor i medhhebit hanefi, i mirënjohuri Mustafa Zerka, Allahu e mëshiroftë. Në përmbledhjen e fetvave të tij në faqen 95-98 përcillet qëndrimi i tij duke e mbështetur në disa citate me të cilat u referohet librit të hanefive “Ed-dur-rul Muhtar”. Megjithëkëtë, mendimi se ky lëng nuk e prish abdestin nuk është pranuar nga shumica dërmuese e fukahave dhe kjo fetva ka ngritur reagime nga dijetarët e tjerë, të cilët e kundërshtuan. [2] Prandaj mendimi më i drejtë dhe më i sigurt do të ishte ai që është përzgjedhur nga shumica e ulemave, se sekrecionet e bardha e prishin abdestin dhe femrës së cilës i rrjedh ky ujë  e prish abdestin dhe obligohet të marrë prapë. Allahu e di më së miri.

4.  Nëse rrjedhja e sekrecioneve të bardha është e vazhdueshme

Nëse rrjedhja është e vazhdueshme dhe nuk ndalet tajitja, atëherë ajo llogaritet të jetë “sahibetu udhër”, person i arsyetuar, që nënkupton se obligohet të marrë abdest në fillim të hyrjes së kohës së namazit dhe ajo mbetet me atë abdest duke mos e prishur derisa të kalojë ajo kohë e namazit, edhe pse gjatë kësaj kohë ka rrjedhje të vazhdueshme të sekrecionit të bardhë.
Kjo ishte ajo që pamë të nevojshme të përmendim në përgjithësi rreth këtij problemi dhe shpresojmë se kemi arritur të sqarojmë gjërat që janë të domosdoshme të dihen për femrat muslimane të cilat ballafaqohen me këtë problem. Gjithashtu shpresojmë se kemi larguar paqartësitë dhe trajtimet të cilat mund t`i hasni të shkruara në ndonjë vend tjetër. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

—————————

[1] “Hashijetu Ibën Abidin” vëll. 1, f. 166 dhe 349

[2] “Rudud”, Muhamed-el Hamid-el Hamevi, f. 88