Jam një grua e martuar, a e kam të ndaluar nëse flas keq para burrit për familjarët e tij për shkak se babai i tij kundërshton islamin, kurse burri dëshiron të njoftohet më shumë për islamin?
***
Përgjigjja:
Këtu duhet të dallohen dy gjëra:
E para: T’i flasësh keq burrit për familjen, gjë që nuk duhet të ndodh nga ana e gruas, sepse prej saj kërkohet të sillet mirë me familjen e burrit, ngase ata janë familja e tij, dhe fundi i fundit, problemet e burrit me familjen do të jenë dëm dhe do të paraqesin problem edhe për vetë gruan.
E dyta: T’ia tregosh dhe t’ia tërheqësh vërejtjen burrit për kundërshtimin e fesë nga ana babait apo të ndonjë anëtari tjetër të familjes. Është detyrë e gruas që të bisedojë me burrin për të gjitha problemet, si dhe t’i tregojë për atë që ndodh në shtëpi, nëse burri nuk është në dijeni. Në këtë rast, ju duhet t’i tregoni drejtë, në mënyrë korrekte dhe me mençuri burrit për atë që e bën babai i tij, jo për ta spiunuar, as për t’i prishur burri raportet me prindërit, por që të jetë në dijeni dhe të veprojë në drejtim të përmirësimit të babait të tij.
Në veçanti kur është në pyetje kundërshtimi i fesë, kemi të bëjmë me çështje të ndjeshme e cila mund edhe ta nxjerr prej imani, varet se si e bën kundërshtimin dhe çka kundërshton. Për atë, ju duhet t’i tregoni burrit me maturi për të marrë masa dhe për të vepruar që babai i tij të përmirësohet. Unë nuk do të kisha preferuar që ju ta përdorni formulimin: ”ti foli keq për familjen”. Ju nuk i flisni keq për familjen, por ia tërhiqni vërejtjen dhe e informoni për atë që ndodh. Këtë duhet ta bëjë çdo grua. Normalisht, gjërat duhet të bëhen pa ngutje, pa paragjykime, pa dëshirë për hakmarrje dhe komplikim, por me mençuri dhe korrektësi.
Allahu e di më së miri.