Pyetja:
A lejohet vënia e dorës mbi Tevrat, Inxhil kur bëhet betimi në gjykatë?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut, përveç të Cilit nuk ka tjetër, bekimi dhe paqa qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tonë, Muhamedin ﷺ.
Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam e shqyrtoi pyetjen e parashtruar për qëndrimin e sheriatit ndaj vënies së dorës nga muslimani mbi Tevrat, Inxhil apo mbi të dy këto libra, kur të jep betim në gjykatë në vendet joislame, nëse sistemi gjyqësor në ato vende ia obligon këtë gjë personit që betohet.
Këshilli i shqyrtoi qëndrimet e shkollave juridike islame në përgjithësi në çka lejohet e në çka nuk lejohet të bëhet betim, dhe për betimin në gjykatë, në veçanti. Këshilli e miratoi vendimin vijues:
1. Nuk lejohet të bëhet betim në asgjë tjetër, pos në Allahun e Madhërishëm, bazuar në hadithin: ”Kush betohet, le të betohet në Allahun, përndryshe le të mos flasë”.
2. Vënia e dorës mbi Kuran, Tevrat apo Inxhil, me rastin e betimit, nuk është e domosdoshme për validitetin e betimit. Por kjo mund të bëhet, nëse organet gjyqësore e shohin të arsyeshme që të rëndohet betimi, ashtu që betuesi të ketë frikë më të madhe e të mos gënjejë.
3. Muslimani nuk e ka të lejuar ta vërë dorën mbi Tevrat apo Inxhil kur të betohet, ngase kopjet e këtyre dy librave që qarkullojnë sot ndër njerëz, janë të ndryshuara nga origjinali dhe nuk e përfaqësojnë origjinalin që i është zbritur Musait dhe Isait, paqa e Allahut qoftë mbi të dy. Poashtu, legjislatura me të cilën e dërgoi Allahu i Madhërishëm të dërguarin e Tij të fundit, Muhamedin ﷺ, i ka deroguar legjislaturat e mëparshme.
4. Nëse gjyqësori në një vend joislam, ia obligon atij që jep betim në gjykatë ta vërë dorën mbi Teurat apo Inxhil, apo mbi të dy këto libra, muslimani së pari duhet të kërkojë nga gjykata që ta vërë dorën mbi Kuran me rastin e betimit, e nëse nuk i pranohet kërkesa, atëherë konsiderohet i detyruar jashta vullnetit të vet ta bëjﷺ një veprim të tillë dhe nuk ka mëkat nëse e vë dorën mbi njërën apo të dy këto libra, por ai në vete duhet që tﷺ mos e ketë për qëllim me këtë madhërimin e tyre.
Allahu mundëson sukses, bekimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi krijesën më të mirë të Tij, zotëriun tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.
Këshilli i Akademisë së Fikhut
Kryetar: AbdulAziz Abdullah ibn Baz
Përktheu: Dr. Bashkim Aliu