Pyetja:

A është lejuar të shkoj në ekskursion, në Shqipëri, me shoqërinë e shkollës? Me nijet m’i vizitu vendet shqiptare dhe me fal namaz gjithashtu.

***

Përgjigjja:

Ekskursioni apo turizmi, në esencë nuk është i ndaluar, bile shpeshherë mund të jetë i preferuar apo i pëlqyer, nëse vizitat janë të dobishme. Sa i përket vizitës me qëllim të faljes së namazit, nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë, përpos në tri xhami; në Qabe, në xhaminë e të Dërguarit të Allahut ﷺ, në Medinë dhe në xhaminë El-Aksa në Jerusalem. Për këtë ai ka thënë: “Nuk përgatitet mjeti i udhëtimit për të shkuar diku përpos, në Qabe, në Xhaminë time dhe në Mesxhidul Aksa.”
Kështu që ekskursioni për në Shqipëri në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si udhëtim ibadeti, për të cilin “shtrëngohet samari” i automjetit. Por çështja mbetet ndër udhëtimet e lejuar në esencë, që duhet shikuar rrethanat e tjera. Duke i venduar parasysh disa rrethana reale, të cilat e përfshijnë një udhëtim të përbashkët me shoqërinë e klasës, me keqardhje mund të përfundojmë se ekskursionet e tilla po devijojnë esencën e tyre dhe po ngelin të jenë haram si të tilla.

Ndër ato rrethana mund të veçojmë:
-Udhëtimi i femrës pa mahrem (pa person të afërt që duhet ta shoqërojë gjatë udhëtimit). Nuk lejohet që femra të udhëtojë me njerëz të huaj, qofshin femra apo meshkuj. Zaten, vetëm mospërmbushja e këtij kriteri do të ishte e mjaftueshme për ta ndaluar çdo udhëtim.
-Nuk e di a keni mbulesë islame. Nëse keni, do të ishte turpërim për një vajzë të mbuluar serioze, e cila me mbulesë shfaq fetarinë, ndershmërinë, pastërtinë shpirtërore e morale etj., të bëj turizëm me kategori të shoqërisë, e cila si shumicë nuk i ka këto vlera të përmendura. E nëse nuk keni mbulesë, atëherë motër e nderuar, mos e zgjeroni rrethin e të bërit mëkat pa nevojë. Pra nëse shkoni në shkollë pa shami për hir të dijes dhe arsimimit, shkuarja e pa nevojshme në ekskursion nuk do të ju arsyetojë për mosmbulesë.
-Përzierja e dy gjinive adoleshente, në vrullin e rinisë, në një ambient të ngushtë siç janë autobusët, ku shpeshherë manifestohet me qëndrim të gjinive të kundërta në një palë ulëse.
-Banimi në vende të dyshimta që e rrezikojnë sidomos gjininë femërore.
-Shoqërimi me muzikë dhe harame të tjera që e karakterizojnë një udhëtim të tillë.
-Provokimet permanente nga “shokët” e klasës apo të klasave të tjera e jo rrallë herë edhe nga vet personeli organizativ.
-Shpenzimi i panevojshëm për atë udhëtim, duke filluar me “përgatitje” të gardërobës (me kritere jo të plotësuara zakonisht) dhe duke vazhduar me shpenzimet e tjera, që shumë shpesh po i qesin prindërit e shkretë e të varfër në pozita të palakmueshme, duke mos pasur dëshirë t’ua prishin qejfin fëmijëve dhe duke mos pasur mundësi të mira materiale.

Ekzistojnë edhe aspekte të tjera, por mendoj që këto ishin më të rëndësishmet. Andaj në bazë të kësaj që thash deri më tani, e shohim se ekskursioni është haram për femrat, për rrethanat e lartpërmendura. Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku