Pyetja:

Punoj në NLB Prishtina, e fali namazin dhe mbaj hixhabin por përkundër obligimeve të cilat i kryej desha të pyes, a më lejohet  të vazhdoj punën, ku dihet se bankat janë të përziera me kamata edhe pse unë punoj në sektorin e pagesave, dmth., jo me kredi apo afatizime etj.

***

Përgjigjja:

Kamata është rreptësisht e ndaluar në Sheriatin Islam. Dëmet e kamatës janë shumë të mëdha edhe tek personi që punon me kamatë, por edhe te e gjithë shoqëria. Kamata shkëput njeriun prej humanizmit dhe e shndërron personalitetin e tij të natyrshëm në krijesë tjetër, çfarë nuk e ka krijuar Allahu ashtu dhe nuk ka sjellë për te program që të jetë i tillë. Allahu i Madhëruar ka potencuar disa herë në Kur’an dëmet e kamatës që i sjellë personit i cili punon me kamatë, ushqehet me të etj., siç është fjala Allahut:

Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata”! E Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë.” (Bekare: 275)

Allahu po ashtu thotë:

O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqert , hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk heqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj – askë nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.” (Bekare: 207208)

Edhe bankat të cilat punojnë me kamatë, e që në vendin tonë të gjitha bankat janë të tilla, e kanë të ndaluar-haram që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre mbi bazën e kamatës. Në këtë rrafsh edhe punëtorët e bankës, qofshin edhe punëtor teknikë, në një mënyrë apo tjetër e ndihmojnë këtë sistem bankar, që zhvillohet mbi bazën e kamatës. Pra edhe puna e rojës, shoferit, pastruesit, mirëmbajtësit etj., të gjitha konsiderohen të ndaluara, për shkak se e ndihmojnë këtë sistem.
Allahu thotë:

Ndihmohuni mes vete në të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi!” (Maide, 3)

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I Dërguari, ﷺ, ka mallkuar atë që e ha kamatën, ai që ushqen kamatën, ai që e evidencon atë si dhe ata që janë në cilësinë e dëshmitarëve në kontratën ku ekziston kamata.” [1]

Për këtë arsye shumica e dijetarëve e kanë ndaluar çdo detyrë që kryhet në bankat e quajtura tradicionale për shkak të përfshirjes në punë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me kamatë.

Sikur të gjithë myslimanët të kishin hequr dorë prej të gjitha mënyrave të punës me kamatë, do të ishte mundësuar që myslimanët t’i ushtrojnë të drejtat e tyre dhe atë në mënyrë shumë të avancuar brenda kornizës së hallallit.
Vlen të përmendet, që disa dijetarë kanë lejuar të punohet në këso banka, me kusht që  vendi i punës të mos jetë i drejtpërdrejt në shërbim të kamatës dhe që punëtori t’i ketë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të gjetur punë të lejuar e që në pamundësi të gjetjes, për shkak të domosdoshmërisë së mbajtjes së familjes të detyrohet të punojë në atë vend pune në bankë.
Natyrisht ky mendim nuk është i argumentuar dhe si i tillë nuk merret në konsideratë. Po nëse do ishte i konsiderueshëm, në rastin tuaj nuk do të lejohej, pasi ju si femër, sigurisht nuk ju bie mbi supe barra e mbajtjes së familjes dhe se vendi i juaj i punës, pra sektori i pagesave, konsiderohet detyrë e drejtpërdrejt ku te ju mund të marrin dhe ju t’ia numëroni interesin, atyre që “u takon”.
Një gjë dua ta theksoj, se nga pyetja e juaj mund t’i shkëpus disa gjëra tejet pozitive, me të cilat ju ka nderuar Allahu Fuqiplotë, dhe njëkohësisht është pyetje shumë e kompletuar që arrin tek ne:

–          Fakti që ju e falni namazin,
–          Fakti tjetër shumë i rëndësishëm gjithashtu, që mbani mbulesën islame,
–          Arsimimi i juaj, pasi punoni punë që kërkon kualifikim të caktuar,
–          Qartësia dhe sinqeriteti i juaj në paraqitjen reale të gjendjes suaj në pyetje,
–          Gatishmëria për ta futur në praktikë atë që ju thuhet, përkitazi me fenë e Allahut, gjë e cila është shumë e kërkuar që muslimani të jetojë nën moton “dëgjuam dhe respektuam” e jo nën moton e kundër të jobesimtarëve “dëgjuam, por nuk e respektuam.”

Me këtë rast dua të ju kujtoj hadithin e saktë të të Dërguarit, ﷺ, ku ka thënë: “Atij që ka braktisur diç për Allahun, do t’ia kompensojë Allahu atë me diç më të mirë.”

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

——————

[1] Muslimi