Pyetja:
Çfarë të bëjë pasi burri im luan kumar dhe ka hyrë në kredi?
***
Përgjigjja:
Problemet për të cilat keni pyetur, e sidomos i dyti, nuk mund të jetë i atypëratyshëm. Nëse ka qenë burri i juaj i tillë kaherë, çka keni vepruar deri më tani?
Sido që të jetë, këto dy gjëra janë prej mëkateve të mëdha. Allahu ka thënë: “Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata”! E Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë.” (Bekare, 275)
Sa i përket kumarit Allahu thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)? (Maide: 90–91)
Natyrisht se mbi ju, e nderuar motër, bie përgjegjësia edhe më e madhe që burrin tuaj ta këshilloni se këto veprime janë të ndaluara dhe nuk lejohet pasurimi përmes këtyre dy metodave. Nuk bën të mbahet familja me këto forma të riskut, pasi që nuk ka hair në atë që Allahu e ka ndaluar. Duhet të ndihmoheni gjatë këshillimit tuaj me argumente të ndryshme nga Kur’ani dhe hadithet e Muhamedit ﷺ, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, pasi ai qenka besimtar. Nëse u nevojitet ndonjë konsultë me ndonjë hoxhë për ta bindur atë se veprimet e tilla janë të ndaluara dhe janë shkatërruese për familjen dhe shoqërinë.
Në anën tjetër, lutjet tuaja drejtuar Allahut, për ta udhëzuar bashkëshortin tuaj, le të jenë të pandalshme. Allahu i pranon lutjet e robërve të Tij të sinqertë. Allahu ju ndihmoftë juve dhe të gjithë muslimanëve, që të punojnë konform ligjeve të Allahut. Amin!
Muhamed Dërmaku