Pyetja:

A i falen mëkatet njeriut i cili kur të sëmuret dhe e din që ka për të vdekur, pendohet që ka bërë mëkate dhe mundohet që të bëj vepra të mira në ditët që i kanë mbetur?

***

Përgjigjja:

Ne shpresojmë që Allahu t’ia falë gjynahet nëse është penduar me sinqeritet ngase Allahu ka thënë: “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok, e përpos këtij (mëkati) i falë kujt të do.” (Nisa: 48)
Gjithashtu, i Dërguari i Allahut ﷺ ka treguar për një njeri i cili i ka mbytur 99 persona e pastaj ka kërkuar të pendohet. Atë e kanë udhëzuar te një njeri i devotshëm (por nuk ka pasur dituri) dhe kur e ka pyetur atë se a ka pendim për mua, ai i është përgjigjur se jo. Atëherë ky njeri e ka mbytur edhe atë (të devotshmin) por përsëri ka kërkuar të pendohet. E kanë udhëzuar te një dijetar dhe kur e ka pyetur dijetarin se a ka pendim për mua pasi i kam mbytur 100 persona ai i është përgjigjur: kush ka mundësi që ta ndalojë pendimin në mes teje dhe Allahut? Pastaj e ka urdhëruar që të largohet nga vendi i tij pasiqë të gjithë e njohin atë si vrasës. Kur ai merr udhëtimin, në mes të rrugës vdes dhe vijnë melaqet e  dënimit dhe ato të mëshirës dhe polemizojnë në mes vete. Ato të dënimit thonë se ai duhet të hyj në xhehenem ngase i ka vrarë 100 njerëz, kurse ato të mëshirës thonë se ai është penduar dhe duhet të hyj në xhenet. Atëherë Allahu e dërgon një melek në formën e një  plaku të cilin e marrin për gjykatës. Ai i urdhëroi që ta masin tokën (vendin ku është  penduar dhe për ku është nisur nga vendi i vdekjes) dhe me afër cilit vend të jetë duhet ta marrin ato melaqe. Personi ishte më afër vendit për ku ishte nisur i penduar sa një pëllëmbë. [1] Në një transmetim thuhet se Allahu e ka urdhëruar vendin për ku është nisur të shkoj, i penduar, që të afrohet një pëllëmbë, dhe atë e morën melaqet e mëshirës. [2]
Por, askush nuk e din se kur do të vdes. Për këtë, muslimani duhet të pendohet gjithnjë  pandërprerë derisa ta takon Allahun, i penduar, dhe të shpërblehet me xhenet.

Bedri Robaj

——————–

[1] Muttefekun alejhi

[2] Buhariu