Pyetja:

Në namazin i jacisë, a janë 13 reqate? Dhe a duhet t’i falim këto reqate përnjëherë së bashku në kohë ose i ndajmë salatin vitër pas mesnate? Ju lutem më shpjegoni më gjerësisht se si falet kjo kohë e namazit.

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, përshëndetjet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ, shokët e tij, familjen e tij dhe të gjithë besimtarët që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Namazi i jacisë është kështu: para farzit të namazit të jacisë nuk ka sunnet dhe nuk duhet të falet asgjë përveç që ka namaz në mes të ezanit dhe ikametit është sunnet të falen dy reqate. Pasi që të falet farzi i jacisë janë edhe dy reqate që falen sunnet dhe pas këtyre vjen vitri. Vitri nuk bën pjesë në namazin e jacisë siç është kuptuar tek ne, namazi i vitrit është një namaz që është i veçantë, kohën e ka pas farzit të jacisë e deri në kohë të sabahut. Mirëpo për shkak që vitri fillon pas namazit të  jacisë  shumë mendojnë se vitri është pjesë e namazit të jacisë. Namazi i jacisë nuk bën të shtyhet shumë dhe të vonohet deri në mesin e natës, ndërsa sa i përket namazit të vitrit sa më vonë që e fal është më mirë. Pas namazit të jacisë është koha për namaz të natës dhe pastaj namazi i natës përfundon me  namazin e vitrit. Pra, namazi i vitrit duhet të jetë namazi i fundit për atë natë, e nëse e falë menjëherë pas jacisë atëherë nuk mund të falësh pastaj më namaz të natës. Për këtë namazi i vitrit është mirë që ta falet para se të biesh me fjet ose e bën me vonë nëse ke mundësi të ngritesh natën dhe të falësh namaz. Allahu e din më së miri.

Shaban Murati