Pyetja:
Akika, therja e kurbanëve për lindjen e fëmijëve
***
Përgjigjja:
Akika është sunnet (në kategorinë e mustehabit – të preferuarës) e nuk është farz (obligim). Andaj, konkretisht edhe sipas medh’hebit tonë hanefi, nuk është patjetër që nëse lind fëmija të bëhet Akika për të, qoftë mashkull apo qoftë femër; pra, është diçka e preferuar të bëhet, gjithsesi duke u nisur edhe nga kushtet ekonomike të prindërve.
Por, tani dhe shpeshherë, po lind një pyetje nga disa njerëz: Përse të priten dy kurbanë (deshë ose dele) për lindjen e fëmijës mashkull e vetëm një për femrën?!
Përmendim se në kohën e injorancës, femra nuk konsiderohej asgjë, madje madje varrosej edhe e gjallë. Kur erdhi Islami, femrën e ngriti shumë lart, saqë një dijetar e shpreh shumë mirë këtë fenomen kur thotë se:
“Islami femrën e ngriti shumë lart, aq lart, saqë Xhenneti shtrihet tek këmbët e saj.”
Pra, Islami i dha vendin e duhur dhe të merituar femrës, rrjedhimisht edhe për lindjen e fëmijës femër, për gëzimin që ndjejmë për këtë rast, preferoi që të pritet një kurban (të bëhet Akika).
Megjithatë, dikush dikushi, sërish po pyet se: Përse një kurban për femër e dy për mashkull; përse po preferohet një gjë e tillë?! A nuk është kjo padrejtësi?! Personi i tillë dëshiron të “bindet” gjithsesi edhe sipas logjikës, se logjika e tij, fatkeqësisht, ndryshe nuk po e pranon këtë urtësi…
Sipas studimeve tona, falë Allahut të Madhërishëm, së pari i themi:
Kur Allahu i Madhërishëm dhe Pejgamberi ﷺ i Tij urdhërojnë ose ndalojnë për diçka, për ne duhet të vlejë gjithmonë fjala Amin, pra, ashtu u tha ashtu u bë, e jo të hamendemi se përse ashtu e përse kështu… pra, duhet të bindemi dhe të ecim para, se kjo është më e mira për ne.
Thotë Allahu xh.sh.
“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja…” (Nisa: 59)
Kurse Pejgamberi ﷺ thotë:
“Nga çka ju kam ndaluar, largohuni nga ajo, kurse nga çka ju kam urdhëruar, punoni nga ato sa të mundeni, sepse asgjë nuk i ka shkatërruar ata që kanë qenë para jush, përveç shumë pyetje të tepërta të tyre dhe mosnënshtrimi i tyre pejgamberëve të tyre!” [1]
Së dyti, ne i përgjigjemi thjesht:
Përkundër shumë urtësive që fshihen pas kësaj preference sunnetike, që vetëm Allahu xh.sh. e di më së miri, është edhe kjo:
A nuk po të shkon logjika jote në atë se kur po gëzohesh për lindjen e fëmijës mashkull më shumë, që dojmë apo nuk dojmë, është natyrshmëri jona njerëzore të gëzohemi më “shumë” për këtë rast, Allahu xh.sh., thënë, po të ngarkon më shumë, pra që të presh dhe të harxhosh dy kurbanë për të, kurse për vajzën po të ngarkon vetëm me një… a nuk është kjo një urtësi?; d.m.th., kur lind fëmija vajzë, përveç gëzimit, ti do të kesh edhe më pak shpenzim, në mënyrë që ta ndjesh gëzimin e mos të shqetësohesh e ngarkohesh dhe harxhohesh me prerjen e dy kurbanëve…
I nderuar, kësaj i thonë:
Për lindjen e vajzës, po gëzohesh më pak, e Allahu xh.sh. po të “ngarkon” prerjen e një kurbani dhe po ta lehtëson harxhimin, në mënyrë që ti mos të shqetësohesh, por të gëzohesh siç edhe ia vlenë të gëzohesh për lindjen e saj;
Kurse për lindjen e djalit, po gëzohesh më shumë, e Allahu xh.sh. po të “ngarkon” më shumë, pra me prerjen e dy kurbanëve, në mënyrë që ti të shqetësohesh e harxhohesh më shumë, me qëllim që të ta shuajë paksa atë gëzimin e tepruar ndaj lindjes së djalit…
A nuk është kjo drejtësi gjinore, a nuk paska vallë vlerë vajza në këtë rast… logjikoni o njerëz!
Shkroi: Daim Abazi
——————————-
[1] Buhariu dhe Muslimi