Pyetja:
Cilat janë këshillat për ata që shtrojnë iftare, veçanërisht ata që nuk agjërojnë, qeveritarët apo pabesimtarët?
***
Përgjigjja:
Disa këshilla për ata që shtrojnë iftaret në ramazan dhe për ata që marrin pjesë në iftare:
-Etika
-rregullat
-Pjesëmarrja në iftarin e shtruar nga ai që nuk agjëron
-Pjesëmarja në iftarin e shtruar nga një kafir
-Pjesëmarrja në iftarin e shtruar nga një qeveritar
Ushqimi i agjëruesve është një punë me shpërblim të madh. Zejd Ibn Halid el Xhuheni transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush i jep ushqim për të çelur një agjëruesi, do të marrë njësoj si shpërblimi i tij, por agjëruesit nuk do t’i pakësohet shpërblimi aspak”. [1]
Nisur nga ky hadith, por edhe nga argumente të tjera të cilat nxisin për ushqimin e të varfërit, interesimi për t’u shtruar iftarë të varfërve është në rritje, dhe kjo është mirësi, por ashtu sikurse punët e tjera të mira, edhe kjo punë ka rregullat dhe etikën e saj, prandaj e pashë të aryeshme të jap disa këshilla, me qëllim që si ai që shtron iftarin edhe agjëruesi të ruajnë edukatën islame të ushqimit:
- Ushqimi duhet të jepet për hirë të Allahut, dhe jo për të shitur mend, për mburrje apo për të konkuruar të tjerët. Ikrime thotë: Ibn Abbasi ka thënë: “Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar ngrënien e ushqimit të atyre që konkurojnë njëri- tjetrin”. [2]
Pra, Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar përgatitjen e ushqimit për krenim dhe syefaqësi, në konkurencë me të tjerët. Arsyeja e ndalimit të ngrënies së këtij ushqimi është se ai përgatitet për mburrje dhe syefaqësi. Përderisa ndalohet përgatitja e ushqimit me një qëllim të tillë, atëherë edhe pjesmarrja në këtë ushqim është e ndaluar.
- Shtruesit e iftarit duhet të bëjnë kujdes të mos shpërdorohet ushqimi, të mos shkojë dëm aspak ushqim, sepse shpërdorimi është i ndaluar. Është e mira të mos teprohet me llojet e ushqimeve. Në shumë iftare vihet re shpërdorimi i ushqimit të tepërt dhe llojshmëri të tepruar të ushqimeve.
- Agjëruesit nuk duhet ta teprojnë me ngrënie, sepse ushqimi i tepërt bën të mos e arrijnë qëllimin e agjërimit, që është devotshmëria (tekvaja) ndaj Allahut. Përveç kësaj, i bën edhe të plogët për kryerjen e ibadetit.
- Ai që shtron iftare për bamirësi bën mirë të ftojë njerëzit që kanë nevojë për ushqim. Njeriu merr shpërblimin e përmendur në hadith edhe kur shtron iftare për njerëz jonevojtarë, porse dobia dhe shpërblimi i ushqimit të të varfërve është më i madh. Po kështu do të ishte e mira që në iftare të ftojmë njerëzit fillestarë në Islam dhe njerëzit që në vendin tonë agjërojnë, por nuk falen, me qëllim që të fitojmë zemrat e tyre dhe që të forcohen në Islam. Dihet që Pejgamberi ﷺ u jepte pasuri disa njerëzve për të fituar zemrat e tyre dhe për t’i shpëtuar nga zjarri.
- Muslimanit nuk i lejohet të lypë ushqim apo të kërkojë pjesmarrjen në iftarë vetëm se në rastin kur nuk ka ushqim. Por edhe në rastin kur ka ushqim më e mira është të mos u lypë ushqim njerëzve dhe të mos kërkojë pjesmarrjen në iftarë. Hakim Ibn Hizam tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dora e lartë (dora dhënëse) është më e mirë sesa dora e poshtme (dora marrëse). Filloje me shpenzimin për ata që i ke në varësi (familjen). Sadakaja më e mirë është ajo që e jep mbasi ke plotësuar nevojat e tua. Kush ruhet nga lypja, Allahu do ta bëjë të dëlirë dhe me nderë. Kush tregon se nuk ka nevojë për pasuritë e njerëzve, Allahu do t’i japë aq sa të mos ketë nevojë për njerëzit.” [3]
- Kur të fton dikush për iftarë, bën mirë që ta ftosh edhe ti. Kur dikush të bën mirë, duhet ti bësh mirë. Kur dikush të jep, bën mirë që ta shpërblesh. Kur dikush të bën një dhurarë, bën mirë ta shpërblesh me një dhuratë edhe më të mirë. Besimtari musliman, kur ka mundësi, nuk duhet të jetë vetëm dora e poshtme (marrëse), por duhet të jetë edhe dora e lartë (dhënëse). Ky është virtyti i krenarisë, dinjitetit, dëlirësisë dhe bujarisë që duhet të gëzojë muslimani.
- Ka raste që iftaret i shtrojnë njerëz që nuk agjërojnë, kështu që këtu agjëruesit duhet të kenë parasyshë disa gjëra:
– duhet të bëjmë kujdes se mos mendon ai që shtron iftarin, por nuk agjëron, se në këtë mënyrë e ka plotësuar detyrën!! Nëse shtruesi i iftarit ecën me këtë ide, nuk duhet të pranohet ftesa e tij.
– duhet që shtrimi i iftarit në këtë rast të mos prekë dinjitetin, dëlirësinë dhe krenarinë e muslimanit, nëse mendon shtruesi i iftarit se është më i mirës se muslimanët, se po u bën nder muslimanëve apo se po plotëson nevojat e muslimanëve nevojtarë. Kjo gjë mund të mënjanohet veçse duke e ftuar për ushqim ashtu siç të fton, ose duke e shpërblyer në mënyrë të barabarta apo edhe më mirë.
– duhet të bëjmë kujdes se mos e ka të gjithë pasurinë haram. Ndërsa në rastin kur shtruesi i iftarit e ka pasurinë të përzier me halla e me haram, ose nuk dihet se si e ka, nuk ka gjë t’i përgjigjesh ftesës së tij, sepse Pejgamberi ﷺ i është përgjigjur ftesës së kafirave.
- Ka raste që ndonjë kafir shtron iftarë për agjëruesit. Në këtë rast, përveç atyre që u përmendën në pikën e shtatë, duhet të respektojmë edhe hadithin: “Islami ngrihet lart dhe nuk ka ngritje mbi të.” [4] Kështu që nëse na fton një kafir për ushqim iftari, lejohet ti përgjigjemi ftesës, por duhet të kemi parasyshë ato që u përmendën në pikën e shtatë.
- Ka raste që edhe qeveritarët shtrojnë iftare. Prandaj, në lidhje me pranimin e ftesës së tyre duhet të sqaroj disa gjëra:
– Nëse ka harame, nuk lejohet pjesëmarrja.
– Qeveritarët mund ta shfrytëzojnë shtrimin e iftarit për qëllime të këqija, e nëse është kështu nuk lejohet pjesmarrja, sepse ju shërben qëllimeve të tyre. Nga qëllimet e këqija është, përshembull, nxitja e frymës së afrimit mes feve, dhe eleminimi i ballafaqimit mes fesë së vërtetë dhe mes feve të pavërteta, mes të vërtetës dhe të kotës. Një qëllim tjetër i keq është përdorimi i shtrimit të iftarit nga qeveritari për mashtrimin e njerëzve për të mbajtur pushtetin ose për ta marrë atë, ndërkohë që mund të ketë grupe të tjera që qeverisin më mirë se sa ky.
– Pjesmarrja në iftaret që shtrojnë qeveritarët mund të ketë edhe problemet që përmenden në pikën e shtatë dhe të tetë.
– Parimisht, nuk lejohet pjesmarrja në iftaret e shtruara prej tyre. Ebu Hurejra thotë: Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush shkon tek dyert e sultanit sprovohet. [5] Sa më shumë që robi të afrohet nga sulltani aq më shumë largohet nga Allahu [6].” [7]
– Por bën përjashtim rasti kur ndonjëri është i fortë në fe, i njeh mirë interesat e muslimanëve dhe merr pjesë për mbrojtjen e interesave të muslimanëve e jo të interesave vetjake, merr pjesë në shërbim të qëllimeve të islamit e jo në shërbim të qëllimeve të këqija të qeveritarëve. Megjithëse ky përjashtim qëndron, shumica e atyre që hyjnë në kuvendet e qeveritarëve apo ulen në sofrën e tyre janë të dobët në fe, ose nuk i njohin mirë interesat e islamit, ose mbrojnë interesat vetjake, ose me vetëdije apo pa vetëdije u shërbejnë qëllimeve të tyre të këqija. Prandaj, këshilla për muslimanët në përgjithësi është të qëndrojnë larg kuvendit dhe sofrës së njeriut me pushtet.
Ismail Bardhoshi
————————————-
[1] Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe
[2] Ebu Davudi
[3] Buhariu dhe Muslimi
[4] Darekutni dhe Bejhakiu
[5] Dmth, sprovohet në fenë e tij dhe i humbet devotshmëria fetare. Ndoshta kjo mund ta shpjerë në devijim të madh, Zoti na ruajtë!
[6] Kur njeriu hynë tek njerëzit me post, mund të mahnitet me kushtet luksoze të tyre dhe kështu mund të nënvlerësojë begatitë që ia ka bërë Allahu, ose mund të mos i kritikojë për gjynahet dhe të këqijat që vëren te ata, edhe pse këtë gjë e ka detyrë, e kështu mund të bëhet gjynahqarë (fasik), ose mund të lakmojë në kënaqësitë dhe interesat e dynjasë që arrihen nëpërmjet tyre dhe kështu mund të korruptohet. Ndërsa ai që hynë në mexhlisin e sultanit dhe nuk i bën lajka e t’i shkojë pas qejfit, por i thotë të vërtetën, e këshillon me sinqeritet, mban qëndrim të çiltër, dhe urdhëron për të mirë e ndalon nga e keqja, ky shpërblehet si puna e atij që bën xhihad në rrugë të Allahut dhe ndoshta edhe më mirë. [Fejdul kadir dhe tuhfetul ahuedhi].
[7] Ahmedi