Pyetja:
A bën ta mbash e ta lexosh Kuranin pa pasur abdes? Sepse kam dëgjuar një hadith ku Pejgamberi ﷺ thotë se besimtari gjithmonë është i pastër, edhe kur është xhunub.
***
Përgjigjja:
Sipas shumicës së dijetarëve, nuk është e lejueshme për muslimanin ta prekë Kuranin pa abdes. Ky është mendimi i katër Imamëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta) dhe ky është mendimi i shprehur në fetvatë e sahabëve të Pejgamberit ﷺ. Lidhur me këtë, është transmetuar një hadith sahih nga Amr ibn Hazm, ku thuhet se Pejgamberi ﷺ u shkroi popullit të Jemenit:
“Kurrkush s’bën ta prekë Kuranin, përveç atij që është i pastër (tahir).”
Ky hadith është xhejjid/i mirë dhe ka zinxhirë të tjerë që e përforcojnë. Prej këtu, dihet që
s’është e lejueshme të preket Kurani, përveç kur pastrohemi nga papastërtia e vogël dhe
e madhe. E njëjta gjë vlen për zhvendosjen e Kuranit nga një vend në tjetrin, nëse
personi që e zhvendos nuk është i pastër. Por, nëse ai e prekë apo e zhvendos me diçka
në mes, siç është kapja e Kuranit me një mbështjellëse, atëherë është në rregull.
Por, sipas mendimit të saktë të shumicës së dijetarëve, s’është e lejueshme të preket
drejtpërdrejt nga personi, kur ai s’është i pastër, për arsyet e përmendura më lart. Sa i
përket recitimit të tij, është në rregull që të recitohet pa abdes nga ajo që e di përmendsh,
apo që ai ta recitojë ndërsa Kurani mbahet nga dikush që i kërkon atij ta përmirësojë.
Kur personi është xhunub, dmth në gjendje të papastërtisë së madhe, nuk duhet ta
recitojë Kuranin, sepse është transmetuar nga Pejgamberi ﷺ se kurrgjë nuk e ka penguar atë nga recitimi i Kuranit, përveç xhunubllëkut. Transmetohet një hadith nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Pejgamberi ﷺ doli nga tualeti dhe lexoi diçka nga Kurani dhe tha:
“Kjo bën për atë që s’është xhunub. Sa i përket atij që është xhunub, ai s’duhet ta bëjë këtë (ta recitojë Kuranin), bile asnjë ajet.” [1]
Çështja është se xhunubi s’duhet ta recitojë Kuranin, qoftë nga Kurani, qoftë nga ajo që
ka mësuar përmendësh, derisa të pastrohet (gusl). Por, ai që e ka prishur abdesin dhe
është i papastër në kuptimin e papastërtisë së vogël, mund të recitojë Kuranin nga ajo
që e di përmendsh, por nuk bën ta prekë atë.
Shejh bin Baz, “Fetaua” 10/150
Përktheu: Suad Shabani
——————————-
[1] Ahmedi