Pyetja:
Nëse një njeri mendon me gjithë vetëdije në ndonjë gjë të keqe si zinaja, a është haram mendimi në këtë pa e shprehur me gojë?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Profeti ﷺ thotë: “Vërtet, Allahu i fal umetit tim për ato gjëra (të këqia) që i mendon derisa mos të veprojë apo flasë.” [1]
Nga ky hadith kuptojmë se njeriu nuk jep përgjegjësi për ato gjëra të këqija që i bien në mendje, derisa mos të veprojë apo flasë. Kurse nga Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) trasmetohet se Resulullahu ﷺ i është transmetuar nga Krijuesi i tij i Madhëruar, i cili ka thënë:
“Vërtet, Allahu i ka caktuar veprat e mira dhe veprat e këqia. Pastaj këtë e ka sqaruar: ‘Kush dëshiron ta bëjë një vepër të mirë, por nuk e vepron, Allahu tek ai do ta shkruajë si vepër të mirë të plotë. Por, kush dëshiron ta bëjë një vepër të mirë dhe këtë e bën, Allahu do t’ia shkruajë dhjetë vepra të mira, deri në shtatëqind shpërblime dhe me shumë. Kush dëshiron të veprojë një vepër të keqe dhe nuk e vepron, Allahu tek ai do ta shkruajë si vepër të mirë të plotë, por nëse dëshiron dhe e bën, Allahu do t’ia shkruajë si një vepër të keqe’.” [2]
Në këtë hadith kudsi (të saktë) sqarohet se nëse njeriu mendon një të keqe, por nuk e vepron ai do të shpërblehet, pasi e ka ndaluar veten nga të vepruarit e asaj vepre të keqe dhe kjo në formë të përgjithshme pa marrë parasysh çfarë është shkaku i mosveprimit të veprës.
Por kjo nuk lejohet të nënkuptohet kështu dhe këtë nuk e thotë askush nga dijetarët. Kur të konstatohet një çështje në sheriatin e Allahut, atëherë ajo duhet të jetë rezultat i krahasimit të të gjitha citateve që flasin për atë çështje dhe në fund të përcaktohet dispozita.
Në një nga transmetimet e hadithit të lartpërmendur ka ardhur shtesa: “Për shkak se ai e ka lënë atë vepër të keqe (pa e bërë) për hir Timin (Allahut)”.
Do të thotë është larguar nga vepra e keqe nga frika prej dënimit të Allahut. Kështu që, patjetër, duhet të shikohet në arsyen e mosveprimit të asaj vepre të keqe. Prandaj shejh Uthejmini kur e komenton këtë hadith në librin “Talikat ala erbeine nevevije” thotë:
“Argumentet e përgjithshme aludojnë se atij të cilit i shkon mendja të bërë një të keqe dhe nuk e vepron, mund të jetë tri kategori:
– Kategoria e parë: Të mundohet ta veproj atë (praktikisht) dhe ta jap mundin, por nuk arrin ta veprojë për shkak të rrethanave. Atij i shënohet një mëkat i plotë.
– Kategoria e dytë: Të mendoj në të keqe por nuk e vepron nga frika prej Allahut të Lartësuar. Atij Allahu ia shënon një shpërblim të plotë.
– Kategoria e tretë: Ai që mendon për të keqe, por nuk e vepron atë, jo nga pamundësia apo frika ndaj Allahu, por e lënë nga vetja e tij pa ndonjë arsye konkrete. Ky nuk ka as shpërblim e as mëkat.”
Ky kategorizim është mjaft i qartë dhe sqaron esencën e kësaj problematike. Tani mbetet të sqarohet edhe një pikë që ka të bëjë me këtë çështje dhe me këtë plotësohet perceptimi i çështjes me lejen e Allahut.
Ajo është nëse njeriu mendon për imoralitet (zina), me ndonjë femër, por e tëra është se ai vetëm mendon rreth saj dhe thellohet në këto mendime, por praktikisht nuk vepron asgjë. Me fjalë të tjera paramendon marrëdhënie intime (apo gjëra që kanë të bëjnë me të) me ndonjë femër, por ai praktikisht nuk bënë gjë dhe po ta kishte mundësinë me vepër ta bënte, nuk do ta bënte. Çfarë është dispozita e këtij personi dhe a ka mëkat ai në këto mendime?
Nëse personi i tillë e bën këtë me dëshirë, vetëdije dhe thellohet në mendime të tilla, duke ndjerë kënaqësi dhe epsh, atëherë ai ka mëkat. Pasi qëllimi nga mendimet nga të cilat është i falur muslimani janë ato mendime që zakonisht u vijnë njerëzve pa pasur dëshirë ata si në formë të vesveseve, ideve të padëshiruara, cytjeve të cilat shejtani i fut në mendjen e njeriut, etj. Pra është fjala për ato mendime të cilat i bien ndërmend muslimanit pa dëshirën e tij dhe ai e ndien veten të shqetësuar pse futen në kokë ato mendime.
Por, nëse në mendime të tilla ai vazhdon me dëshirë, i kultivon ato, ndien kënaqësi dhe epsh, atëherë ato mendime kalojnë në mëkate. Pasi edhe të ndjerët e kënaqësisë dhe vazhdimi me dëshirë ne këto është lloj i veprës dhe ai ka mundësi t`i ndërpresë ato. Këtë problematikë, në këtë formë, mjaft mirë e sqaron Nadhim Muhamed Sultan në librin e tij “Kavaid ve fevaid min erbeine neveije”.
Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi
——————————————————-
[1] Buhariu
[2] Buhariu dhe Muslimi.