Pyetja:
A mund të na shpjegoni se si ndikojnë menstruacionet dhe lehonia femërore tek agjërimi i Ramazanit?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Agjërimi i muajit të Ramazanit i obligohet gruas së paprekur nga gjërat që e pengojnë agjërimin. Më konkretisht prej këtyre penguesve janë zakonet dhe lehonia femërore, prandaj gruas së cilës i vijnë menstruacionet ose lehonia gjatë ditës së agjërimit, nuk i lejohet të agjërojë, por nëse pastrohet para agimit ajo e ka obligim ta agjërojë ditën e Ramazanit.
Kurse më konkretisht juristët muslimanë, lidhur me faktin se si ndikojnë zakonet dhe lehonia tek agjërimi i Ramazanit, përmendin sa vijon:
Së pari: Zakonet dhe lehonia femërore janë pengesë për agjërimin
Mendimi konsensual i juristëve muslimanë është se gruas muslimane që është me të përmuajshmet (menstruacione) apo në lehoni, i del për detyrë që të mos i agjërojë ditët e agjërimit të obliguar, porse ajo i shlyen ato më pas kaza (jashtë kohës përkatëse) deri para Ramazanit të ardhshëm.
Së dyti: Hemorragjia tjetër femërore veç menstruacioneve dhe lehonisë nuk është penguese në vetvete nga agjërimi i obliguar
Femra me istihada (hemorragji tjetër veç menstruacioneve dhe lehonisë) duhet të agjërojë. Asaj i lejohet të mos agjërojë vetëm nëse hemorragjia në fjalë është tek ajo në atë nivel që mendimi i sigurt ose ai më i fuqishëm është se me të tillë hemorragji, atë do ta mundojë shumë agjërimi.
Më konkretisht, nëse gruaja me të përmuajshmet (menstruacione) shikon se është pastruar plotësisht nga ato dhe pas kësaj shikon të kenë dalë prej saj disa sekrecione (lëng, ujë apo gjak me ngjyrë), ajo nuk duhet t’i marr ato parasysh, sepse këto sekrecione nuk konsiderohen prej menstruacioneve por ato kanë dispozitën e urinës. Në këtë rast muslimanja duhet të lajë vendin e daljes së këtyre sekrecioneve (duhet të lajë organin gjenital, sikurse veprohet në rastin e urinimit) dhe po kështu duhet të marr abdes (pasi dalja e këtyre sekrecioneve e prish abdesin). Ajo e vijon gjendjen e saj të pastërtisë, duke falur namazin dhe agjëruar Ramazanin.
Së treti: Adhurimi i femrës lehone ose me zakone gjatë agjërimit të obliguar
Femrës muslimane lehone ose me zakone, i lejohet që t’i veprojë të gjitha adhurimet përveç: namazit, agjërimit, tavafit në Qabe dhe IÂTIKEEF-it (ngujimit për adhurim) në xhami dhe kjo vlen si për ditënetët e Ramazanit, ashtu edhe për kohën jashtë tij.
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi