Pyetja:

A bën djali të paguajë vitrat dhe zekatin edhe pse e ka babain gjallë?

***

Përgjigjja:  

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Dhënia e zekatit për një person tjetër, pa lejen e tij, nuk pranohet dhe nuk konsiderohet zekat, pa marrë parasysh rrethanat, qoftë kthim borxhi, bamirësi apo diçka tjetër. Kjo sepse zekati është adhurim (ibadet), e adhurimi nuk lejohet të kryhet ndryshe përveçse duke e bërë nijet fillimisht vetë personi që ia ka mësyrë një adhurimi.

Dijetari i madh, Salih ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!), në pyetjet që i janë bërë në emisionin “nurun ala derb,” ka thënë: “Çdo person i cili ka dhënë zekat për një person, pa qenë i autorizuar prej tij më parë, kjo nuk i vlen për zekat. Për shkak se zekati patjetër duhet të bëhet me nijet e nuk është sikurse puna e pagesës së borxhit.”

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve.”

Së këndejmi, themi se në parim, është sunet i Pejgamberit ﷺ që zekatin ta nxjerrë vetë personi të cilit i është bërë obligim zekati, përveç në rastin kur personi e autorizon dikë tjetër që ta bëjë këtë në vend të tij, apo në rastin konkret, nëse i biri i kërkon babait leje që t’ia paguaj vlerën që i ati e ka borxh për zekat, dhe babai ia lejon këtë dhe e autorizon për këtë (duke e bërë nijet zekatin), atëherë një gjë e tillë i lejohet. Po ashtu, për vitrat (sadakatul fitrin) çështja është e njëjtë, nëse prindërit pajtohen që i biri të paguajë vitrat për ta, atëherë nuk ka problem.

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, familjen dhe shokët e tij!

Përgatiti: Hekuran Helshani