Pyetja:
A prishet agjërimi nëse del lëngu para spermës?
***
Përgjigjja:
Së pari, lëngu që del para spermës në gjuhën arabe quhet medhij. Është një lëng i bardhë, i hollë, ngjitet për dore nëse e prek.
Ky lëng del kur personin e kaplojnë epshet, por mund të dalë edhe pa epshe, e nuk del me vrull sikurse sperma dhe pas daljes së tij nuk ka thyerje të epshit, ndryshe nga sperma, madje mund të ndodhë që të mos e vërejë fare daljen e tij, vetëm kur sheh rrobat e lagura.
Këtë lëng e kanë të dyja gjinitë, mashkulli dhe femra.
Ky lëng është i ndytë. Ai del lehtë nga organi, d.m.th. nuk obligon guslin, por vetëm abdestin dhe duhet të lahet vendi që ka prekur, trupi apo rroba.
Së dyti, dalja e këtij lëngu nga organi mashkullor apo femëror si pasojë e mendimit erotik, apo pas ledhatimit, ose puthjes mes bashkëshortëve nuk e prish agjërimin për faktin se nga organi ka dalë lëngu që nuk e obligon guslin, andaj i ngjan daljes së urinës. Agjërimi prishet në rastin kur mashkulli është në gjendje të zgjuar dhe pas përjetimit të kënaqësisë i del sperma nga organi seksual.
Edhe pse ky lëng nuk e prish agjërimin, agjëruesi duhet t’i shmanget gruas së tij dhe çdo provokimi tjetër të epshit nga frika se mos nuk mund ta frenojë veten e mund t’i dalë sperma ose të bëjë kontakt me gruan. Kjo ka pasoja shumë të rënda sepse i prishet agjërimi dhe obligohet me kaza dhe kefaret.
Për atë arsye kur është pyetur Aishja: “A i puthte Pejgamberi ﷺ gratë e tij kur ishte agjërueshëm? Ajo u përgjigj: “Po, ai i puthte dhe i ledhatonte, por ai mund ta frenonte veten e tij më shumë sesa ju.” [1]
Nga kjo po kuptohet se Aishja ua tërhoqi vërejtjen meshkujve që të ruhen nga një veprim i tillë, sepse ndoshta nuk mund ta frenojnë veten.
Këtë e forcon edhe hadithi tjetër i Ebu Hurejrës r.a., ku një njeri erdhi dhe e pyeti Pejgamberin ﷺ: “A bën ta puthë gruan agjëruesi?” Pejgamberi ﷺ ia lejoi atij. Më pas erdhi një tjetër dhe bëri të njëjtën pyetje, ndërsa Pejgamberi ﷺ ia ndaloi atij. E atij që ia lejoi ishte plak, ndërsa atij që ia ndaloi ishte i ri. [2]
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
—————
[1] Muslimi, nr. (1106) 68.
[2] Ebu Davudi, nr 2387. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.