Dalja e gruas imame për gratë e tjera

55. I nderuar hoxhë! A i lejohet femrës të bëhet imame për gratë e tjera në namaz?

Përgjigjja: Lejohet për femrën të bëhet imame për gratë, por jo për t’i falur pesë kohët e namazit rregullisht në vend të caktuar me xhemat, ashtu siç është e përcaktuar për burrat, ngase vlera e namazit të xhematit të grave nuk është e njëjtë me vlerën e namazit të xhematit të burrave. Për këtë arsye dijetarët hanefi dhe ata maliki kanë thënë se dalja imame e femrës për gra është mekruh (e papëlqyer).

Pra, nuk duhet të bëhet traditë dhe shprehi që gratë të formojnë xhemat të veçantë për namaze ditore, kurse në disa raste specifike lejohet, si p.sh. në ndonjë tubim të veçantë si dasma, apo në ndonjë mbledhim vdekjeje, apo në ndonjë tubim ku është prezent ndonjë motër që e lexon Kur’anin mirë, kurse motra të tjera kanë dëshirë të dëgjojnë, ose kur dikush nga femrat nuk di të falet ndryshe vetëm se me imam e nuk ka meshkuj në shtëpi, por vetëm femra, atëherë në raste të këtilla dhe të ngjashme me këto lejohet, por nuk lejohet të bëhet zakon sikurse meshkujt. Në lidhje me këtë Ebu Davudi transmeton se “Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] i ka dhënë leje Ummu Verekah bint Abdil-lah bin Nevfelit t’ua falë namazin (t’u bëhet imame) grave të familjes së saj.”[1]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 592. Albani ka thënë se hadithi është hasen.