Pyetja:
Cili është qëndrimi i Islamit ndaj lojërave të fatit?
***
Përgjigjja:
Lotaria me të gjitha llojet e tjera të lojërave të fatit nuk janë asgjë tjetër përveçse bixhoz, kumar të cilin Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë e ka ndaluar rreptësisht duke e klasifikuar në mesin e mëkateve më të mëdha shkatërruese, siç është alkooli, idhujt, falli etj.. Allahu xh.sh. thotë:
”O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveçse nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)? Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit e kini kujdes (mos kundërshtoni). E nëse refuzoni, atëherë pra, dijeni se obligim i të Dërguarit Tonë është vetëm komunikimi i qartë.” (Maide: 90-92)
Islami kërkon prej pasuesve të tij ta kuptojnë realitetin e jetës duke ua bërë të qartë se pasuria dhe suksesi arrihen me angazhim, zell dhe punë të ndershme, e jo me dëshira e iluzione.
Lojërat e fatit mbjellin në mendjet e njerëzve iluzione për të arritur pasuri me rrugën më të lehtë. Lojërat e fatit janë shkatërrim për rininë e një shoqërie të shëndoshë, ngase të rinjtë në vend se të preokupohen me punë dhe angazhime, mbeten me ditë të tëra në ekranet e bastoreve me shpresa të kota se do të pasurohen brenda një momenti të shkurtër.
Lojërat e fatit në realitet janë bixhoz modern i zbukuruar me fjalë tërheqëse dhe zbukuruese, ku grupet e caktuara të interesit nëpërmjet reklamave mediatike kanë arritur t’ua pastrojnë trurin njerëzve duke i reklamuar aq shumë saqë shumica e njerëzve të shekullit tonë bixhozin modern – lojërat e fatit i konsiderojnë si lojë argëtuese të dobishme për shoqërinë njerëzore dhe për këtë kanë miratuar ligje të veçanta me anë të të cilave përcaktohen rregullat e lojërave të fatit.
Nga ajeti i sipërpërmendur kuptojmë se vera dhe bixhozi janë mjeti më i përshtatshëm i shejtanit për të mbjellë armiqësinë në mes njerëzve. Shejtani aq shumë ua ka verbuar sytë njerëzve, saqë nuk janë në gjendje t’i kuptojnë dëmet që u shkakton bixhozi, edhe pse përditshmëria jonë është plot shembuj mjerues e trishtues.
Sa e sa familje të pasura sot janë varfëruar për shkak të bixhozit? Sa e sa familje kanë përfunduar me shkurorëzim, e fëmijët kanë mbetur pa përkujdesje prindërore për shkak të bixhozit? Sa e sa njerëz kanë humbur vendin e tyre të punës, e kanë shitur nderin dhe fenë e tyre, madje kanë shkatërruar edhe jetën e tyre për shkak të bixhozit? Bixhozi është shkatërrim i çdo vlere, ngase edhe pse synohet fitimi i pasurisë, ai përmban të gjitha cilësitë e këqija, prandaj rrugëdalja e vetme për shpëtimin tonë është të qëndrojmë sa më larg bixhozit dhe ndalesave të tjera nëse dëshirojmë të shpëtojmë në këtë dhe në botën tjetër.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi