Pyetja:

A lejohet falja e namazit me këpucë apo sandale?

***

Përgjigjja:

Namazi me këpucë, papuçe, nallane dhe të ngjashme është i lejuar, ngase transmetime të shumta vërtetojnë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka falur namaz me nallane të mbathura, por është falur edhe zbathur.

Është pyetur Enes bin Maliku: “A është falur Pejgamberi ﷺ mbathur?” Ka thënë: “Po.” [1]

Gjithashtu Ebu Se’id el-Hudriu ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ u fal me ne një ditë. Derisa ishte duke u falur, i zbathi këpucët e tij dhe i vendosi në anën e tij të majtë. Kur njerëzit e panë këtë, i zbathën këpucët e tyre. Kur  e kreu namazin, ai tha: “Pse i zbathët këpucët tuaja?” Ata thanë: “Të pamë ty duke i zbathur këpucët e tua, andaj edhe ne i zbathëm tonat”. Ai tha: “Më erdhi Xhibrili dhe më njoftoi se kishte ndyrësirë në këpucët e mia, andaj i zbatha ato, andaj kur  vjen ndonjëri prej jush në xhami le të shikojë: nëse sheh në këpucët e tij ndyrësirë apo diçka të keqe, le t’i pastrojë dhe le të falet në to.” [2]

Falja e namazit me këpucë lejohet me kusht që këpucët të jenë të pastra nga ndyrësirat, e nuk është kusht të jenë të pastra nga pluhurosja, sepse pluhuri nuk konsiderohet i ndotur.

Kur themi se lejohet falja e namazit me këpucë, kemi parasysh faktin se në kohën e të Dërguarit të Zotit xhamitë nuk ishin të shtruara me shtroje, por ishin me rërë, prandaj edhe janë falur me këpucë në xhami, kurse në kohën tonë xhamitë janë të shtruara me tapet, kështu që në kohën tonë nuk lejohet të falemi me këpucë në xhami, ngase do të ndikojmë në njollosjen e xhamisë me ndyrësira, por me këpucë mund të falemi në vende të tjera, si në fushë, në arë, në rrugë, në punë etj..

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————

[1] Buhariu, nr. 5850; Muslimi, nr. (555) 60.

[2] Ebu Davudi, nr. 650. Albani ka thënë: “Hadithi është sahih”.