Pyetja:

Nëna ime është në moshë dhe nuk mund të qëndrojë në këmbë. Si duhet ta falë namazin në këtë rast?

***

Përgjigjja:

Dijetarët islamë kanë mendim unanim se kush nuk ka mundësi të qëndrojë në këmbë, duhet të falet ulur apo në cilëndo formë që ka mundësi, por në asnjë mënyrë nuk lejohet lënia e namazit. Allahu xh.sh., thotë:

Sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut (veproni atë që mundeni)…” (Tegabun: 16)

Po ashtu Allahu xh.sh., thotë:

Allahu nuk e obligon (nuk e ngarkon) asnjë njeri përtej mundësisë së tij…” (Bekare: 286)

Qëndrimi në këmbë, rukuja dhe sexhdeja janë prej shtyllave përbërëse të namazit, mirëpo nëse për ndonjë arsye të justifikueshme nuk kemi mundësi ta kryejmë ndonjë kusht, farz apo vaxhib të namazit, atëherë namazin duhet ta falim brenda mundësive që kemi dhe moskryerja e ndonjërit prej kushteve, farzeve apo vaxhibeve të namazit nuk ndikon në vlefshmërinë e namazit dhe as në pakësim të shpërblimit, ngase ekziston arsyetimi. Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Kur sëmuret robi apo kur është në udhëtim, i shkruhen shpërblimet-sevapet e punëve që ka bërë kur ka qenë i shëndoshë dhe në vendbanim.” [1]

Arsyetimi i pranueshëm, i cili e lejon mosqëndrimin në këmbë, është në këto raste:

  1. nëse nuk kemi mundësi të qëndrojmë në këmbë;

2. nëse qëndrimi në këmbë shkakton shtimin e sëmundjes;

3. nëse qëndrimi në këmbë shkakton vonimin e shërimit;

4. nëse qëndrimi në këmbë shkakton dhembje deri në atë masë sa të ndikojë në përqendrimin në namaz.

Nëse qëndrimi në këmbë nuk shkakton ndonjërën nga problemet e sipërpërmendura, atëherë falja e namazit ulur nuk lejohet.

Pejgamberi ﷺ i drejtohet Imran bin Husajnit, i cili ishte i sëmurë, duke i thënë: “Falu në këmbë, por nëse nuk ke mundësi, atëherë ulur, por nëse nuk ke mundësi, atëherë falu shtrirë…” [2]

E këshillojmë nënën tënde që të ketë kujdes të veçantë për namazin dhe të falet në atë mënyrë që i vjen më lehtë, duke u mbështetur në ndonjë shkop apo në ndonjë mobilie, në mur etj., por nëse as ashtu nuk mundet, sepse nuk mund të qëndrojë fare në këmbë, atëherë falet ulur dhe nuk ka farë problemi.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

———————————

[1] Buhariu, nr. 2996.

[2] Buhariu, nr. 1117.