Pyetja:
Jam 19 vjeç, pesë kohët e namazit kam filluar t’i fal që shtatë muaj. Pyetja ime është si vijon: A jam i obliguar të fal kaza për çdo namaz të ngelur apo pendimi i sinqertë i fshin ato? Dhe si vazhdim i kësaj pyetjeje, a mund të fal namaz nate pasi kam shumë namaze të pafalura?
***
Përgjigjja:
Mosfalja e namazit në kohën e vet mund të ndahet në dy situata:
E para: Mosfalja e namazit me arsye të justifikueshme, si p.sh. për shkak të harresës, gjumit, sëmundjes së rëndë, e cila ndikon në humbjen e vetëdijes e të ngjashme. Nëse për mosfaljen e namazit kemi arsyet e sipërpërmendura, atëherë nuk kemi mëkat, por namazin e falim kaza kur na kujtohet apo kur zgjohemi nga gjumi. Transmetohet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e harron faljen e namazit apo i ikën namazi për shkak të gjumit, atëherë kompensimi për të është ta falë kur t’i kujtohet.” [1]
E dyta: Mosfalja e namazit qëllimisht, pa arsye të justifikueshme apo për shkak të përtacisë. Mosfalja e namazit në këtë rast konsiderohet prej mëkateve të mëdha dhe gjendja e imanit të këtij personi është në rrezik të madh, ngase Allahu xh.sh. nga urtësia e Tij ka caktuar që çdo namaz të ketë kohën e përcaktuar. Allahu xh.sh. thotë:
“…dhe faleni namazin në mënyrë të rregullt, vërtet namazi është obligim në kohë të caktuar për besimtarët.” (Nisa: 103)
Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, atij që e lë namazin qëllimisht nuk i vlen kazaja, por duhet të pendohet sinqerisht dhe të kërkojë falje prej Allahut të Madhërishëm duke bërë vepra të mira dhe me theks të veçantë duke falur namaze vullnetare sa më shumë.
Pa dyshim falja e namazit të natës është mënyra më e mirë e kompensimit të namazeve farze të pafalura, ngase vlera e namazit të natës është shumë e madhe. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Namazi më i vlefshëm, pas farzit, është namazi i natës.” [2]
Po ashtu Pejgamberi ﷺka thënë: “Ju porosis me faljen e namazit të natës, ngase falja e namazit të natës është traditë e të mirëve që ishin para jush, është mënyra më e mirë e afrimit te Zoti juaj, është shlyerëse e veprave të këqija dhe është ndaluese nga mëkatet.” [3]
Pra, nuk ke nevojë t’i falësh kaza ato namaze që të kanë ikur pasi veç je penduar, por tashmë mos e lë asnjë namaz të të ikë dhe fal sa më shumë namaz nafile.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
———————————
[1] Buhariu, nr. 597; Muslimi nr. (684) 315.
[2] Muslimi, nr. (1163) 202.
[3] Tirmidhiu, nr. 3549, pastaj Hakimi, 1/308, Bejhekiu në El-Kubra, 2/502. Hakimi ka thënë: “Hadithi është i vërtetë (i saktë) sipas kushteve të Buhariut, edhe pse nuk e ka transmetuar, me çka është pajtuar edhe Dhehebiu”. Albani pasi cek të gjitha rrugët e transmetimit të tij thotë: “Hadithi është hasen”, Irvau el-Galil, 2/199 nr. 452.