Pyetja:

A ekzistojnë xhinët dhe na i përshkruani si janë ata?

***

Përgjigjja:

Xhinët janë krijesa të Allahut të Madhëruar të cilat i ka krijuar prej zjarrit para krijimit të Ademit (paqja qoftë mbi të). Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne krijuam njeriun nga balta e argjilës, së zezë e të prishur (me erë të keqe), (të formuar-të trajtuar, ‘mesnun’). E xhinët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë.” (Hixhr: 26-27)

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Melekët janë krijuar nga drita, ndërsa xhinët janë krijuar nga zjarri i fortë i përzier me flakën e zezë, ndërsa Ademi është krijuar nga ajo që u është përshkruar juve.” (E ka fjalën ashtu siç e ka cekur Allahu në Kur’an, se është krijuar nga balta.)

Sikurse Ademi (paqja qoftë mbi të) ka pasardhës, gjithashtu edhe xhinët kanë pasardhës. Allahu i Lartësuar e përshkruan Iblisin:

“(Përkujto) Kur u thamë engjëjve: Përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj? Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve!” (Kehf: 50)

Bota e xhinëve për ne është e padukshme, mirëpo besimi në ekzistencën e tyre është prej gjërave të domosdoshme në Islam. Mohimi i ekzistencës së tyre konsiderohet kufër (mosbesim), ngase Kur’ani Famëlartë e ka vërtetuar ekzistencën e tyre, madje një sure e posaçme në Kur’an mban emrin e tyre, sure XHINN.

Allahu i Madhëruar i ka krijuar xhinët dhe njerëzit vetëm për ta adhuruar Atë: kush i nënshtrohet Atij, do të shpërblehet me xhenet, e kush e kundërshton Atë, do të ndëshkohet me xhehenem. Allahu i Madhëruar thotë:

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat: 56)

Xhinët sikurse edhe njerëzit janë të ngarkuar me përgjegjësi fetare, prandaj ka prej tyre besimtarë dhe jobesimtarë, siç i përshkruan Allahu i Madhëruar fjalët e tyre në Kur’an:

“Është e vërtetë se prej nesh ka besimtarë (muslimanë) dhe prej nesh ka që janë jashtë rrugës (jobesimtarë), e kush e pranoi Islamin, të tillët mësynë rrugën e shpëtimit.” (Xhinn: 14)

Kur Pejgamberi ﷺ ishte në Mekë, ende pa u shpërngulur, një grup xhinësh dëgjuan Kur’an dhe u ndikuan prej tij. Allahu i Madhëruar thotë:

“Thuaj: Mua më është shpallur se një grup i vogël nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur’anin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: Ne kemi dëgjuar një Kur’an që mahnit që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askënd.” (Xhinn: 12)

Duke qenë se në mesin e xhinëve ka besimtarë dhe jobesimtarë, atëherë vlen të thuhet se xhinët jobesimtarë quhen shejtanë, kurse ata besimtarë quhen xhinë. Pra, termi xhin përfshin xhinët besimtarë dhe jobesimtarë, apo thënë ndryshe xhinët muslimanë dhe xhinët qafirë, ndërsa termi shejtanë përfshin vetëm xhinët jobesimtarë.

“Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk i shihni. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.” (A’raf: 27)

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————

[1] Muslimi, nr. (2996) 60.