Pyetja:

Gjykimi i këngëve me muzikë në këndvështrimin Islam

***

Përgjigjja:

Argumentet nga Kurani rreth këngëve me muzikë

Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin famëlartë: “Ka disa njerëz që sajojnë tregime argëtuese, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues.” (Lukman: 6)

Imam Ibën Kethiri  ka përcjellë nga Ebu Sahba el Bekri se ky kishte dëgjuar Abdullah bin Mes’udin (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili kur u pyet për këtë ajet tha: “Pasha Allahun, pos të cilit nuk ka të adhuruar tjetër (me meritë), se ky ajet është për këngët (me muzikë) dhe këtë e përsëriti tre herë”. [1]

Një mendim të tillë e kanë shprehur Ibnu Abasi, Xhabiri, Ikrima, Seid bin Xhubejr, Mekhuli, Mejmun bin Mehran, Amru bin Shuajb dhe Alij bin Bedhejme. Hasan El Basri ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për muzikën dhe veglat muzikore”. [2]

Po ashtu, Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe ata që nuk dëshmojnë gënjeshtrat e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet“. (Furkan: 72)

Imam Ibën Kethiri, përmend në komentin e këtij ajeti nga Muhamed bin Hanefije, se këtu bëhet fjalë për këngët (me muzikë). [3]

Imam Kurtubiu dhe Taberiu në tefsirët e tyre kanë përmendur nga Muxhahidi (nxënësi i Ibn Abasit. Allahu qoftë i kënaqur me të!), të njëjtën gjë; pra, se gënjeshtrat janë këngët (me muzikë). [4]

 

Së treti: Argumentet nga Suneti i Profetit, ﷺ rreth këngëve me muzikë

  1. Përcillet nga Ebu Malik el-Esh’ariu (Allahu qoftë e kënaqur me të!), se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Do të dalin në umetin tim njerëz të cilët, do të lejojnë kurvërinë, mëndafshin, pijet alkolike dhe instrumentet muzikore…” [5]

Ndërsa Ibn Maxhe përcjell nga Ebu Malik Esh’ari -Allahu qoftë e kënaqur me të!-, se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Do të ketë prej umetit tim njerëz, të cilët do të pinë alkool dhe do ta quajnë me emra të tjerë; do të luhet mbi kokat e tyre me vegla muzikore e do t’u këndojnë femrat. Allahu këta do t’i fundosë në tokë dhe disa prej tyre do t’i kthejë në derra dhe majmunë”. [6]

Këto hadithe argumentojnë qartë se muzika është e ndaluar, sepse Profeti, salallahu alejhi ue selem, shprehet qartë se ata do t’i konsiderojnë të lejuara pasi kanë qenë të ndaluara.

E dyta, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ, e bashkëngjiti muzikën bashkë me ndalesat e tjera si: mëndafshi, imoraliteti dhe alkooli.

  1. Xhabiri -Allahu qoftë e kënaqur me të!-, përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Unë nuk ju kam ndaluar të qani, por ju kam ndaluar (dy) zërat e të metëve dhe të shthururve: zërat që nxirren në mirëqenie gjatë dëfrimit dhe argëtimit, dhe rënia e fyejve të shejtanit (mjeteve muzikore), si dhe zërat gjatë fatkeqësisë: goditja e fytyrës dhe shkyerja e rrobave dhe meloditë e shejtanit (vajtimi me kujë)”. [7]

Një hadith të ngjashëm me këtë përcjell dhe Enes Ibën Malik (Allahu qoftë e kënaqur me të!), se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Dy zëra janë të mallkuar në dynja dhe ahiret: këngët me muzikë në begati dhe vajtimi (me kujë) në fatkeqësi”. [8]

  1. Nafiu përcjell se ai ishte një ditë me Ibn Umerin (Allahu qoftë e kënaqur me të!) dhe “Duke ecur Ibnu Umeri dëgjoi muzikë dhe i vendosi gishtat në vesh dhe u largua nga ajo rrugë, më pas pyeti:

-A dëgjohet më muzika?

-Jo, -iu përgjigja unë! Ai hoqi gishtat nga veshët dhe tha: “Isha një ditë me të Dërguari e Allahut ﷺ, dhe ai dëgjoi muzikë dhe veproi kështu (i mbylli veshët)”. [9]

Imam Kurtubiu, kur flet për këtë hadith në tefsirin e tij thotë: “Dijetarët tanë kanë thënë: ‘Nëse një gjë e tillë veprohej ndaj zërave të cilat nuk ishin shumë larg normales, ç’mund të thuash për këngët (me muzikë) dhe zërat e ditëve tona?!’” [10]

Përgatiti: Hoxhë Bledar Haxhiu

——————————

[1] “Tefsir Kuranil Adhim”, 6/330.

[2] Po aty: 6/331; “Xhamiul Ahkamil Kuran”, Kurtubi, 14/52.

[3] “Tefsir Kuranil Adhim”, 6/130.

[4] “Xhamiul Bejan”, 19/313 dhe “Xhamiu Ahkamil Kuran”, 13/80.

[5] Transmeton Buhariu, 5590.

[6] “Sunen Ibnu Maxha”, 4020, e ka saktësuar Albani.

[7] “Sunen Tirmidhi”, 1005, i cili e ka konsideruar si hadith hasen; “Mustedrek ala Sahihejn”, Hakim, 4/43; “Sunenul Kubra”, Bejhaki, 4/69; “Musned Tajalisi”, 1683; “Sherh Meani”, Tahavi: 4/29. Shejh Albani e ka konsideruar të mirë në “Sahih el Xhami”, 5924.

[8] “Ahadith el Mukhtara”, el Makdisi, 6/189; “Musned el Bezarr”, 14/62. Shejh Albani e ka konsideruar të mirë në “Sahih el Xhami”, 3801.

[9] “Sunen Ebi Daud”: 4926; “Sunen el Kubra”, Bejhaki, 21526. Shejh Albani e ka vlerësuar hadithin të saktë.

[10] “Xhamiu Ahkamil Kuran”, 10/290.