Pyetja:
Çfarë ngërthen në vete fjala “La ilahe il-lAllah”?
***
Përgjigjja:
Fjala e teuhidit është (dëshmia) “La ilahe il-lAllah” – nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut. Ai i cili e shqipton duhet ta dijë kuptimin e saj. Nuk ka dyshim se kjo fjalë është baza e Islamit, ngërthen shumë vlera madhështore dhe për ata që e pohojnë dhe punojnë me të (sipas kuptimeve të saj) janë dhuratë xhenetet, ndërsa për ata që e mohojnë dhe e luftojnë janë përgatitur zjarre flakëruese.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “..dije se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë pos Allahut..” (Muhammed: 19)
Allahu i Lartmadhëruar në lidhje me përshkrimin e njerëzve të devotshëm dhe vepër mirë thotë: “përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset…” (El-Ahzab: 35)
Kjo është përmendur bashkë me cilësitë e tjera (të tyre). Allahu i Lartësuar thotë: “për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab: 35)
Dhe thotë i Lartësuari: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Al-Imran: 190-191)
Shejh Uthejmini, “Fetaua suvalun alal-Hatif”, vëll. 1
Përshtati: Unejs Sheme