Pyetja:
Për namazin në karrige? Pasi që kam operuar gjurin dhe nuk mund të përkulem, ku mund të shoh ndonjë foto se si duhet (a duhet?) të ngrihemi nga karrigia në përfundim të çdo rekati, apo vetëm në fillim kur bëhet nijeti?
***
Përgjigjja:
Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit e Mëshiruesit!
Sahabiu i ndershëm Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vuaja nga hemorroidet, andaj e pyeta Pejgamberin ﷺ rreth namazit, e në atë rast më tha: “Falu në këmbë. Nëse nuk mundesh, falu ulur. Nëse nuk mundesh, falu shtrirë.” [1]
Në një hadith tjetër, njëri nga shokët e Pejgamberit ﷺ tregon: “E kemi pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të) për namazin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ajo na është përgjigjur: “I Dërguari i Allahut ﷺ falej shumë qoftë në këmbë, e qoftë ulur. Kështu kur e fillonte namazin në këmbë, edhe rukunë e bënte në këmbë, e kur e fillonte ulur edhe rukunë e bënte ulur.” [2]
Fillimisht, ajo që duhet ta kemi të qartë për namazin e atij që detyrohet të falet ulur është se falja ulur në namazet obligative lejohet vetëm nëse personi nuk ka asnjë mundësi tjetër për ta falur namazin në këmbë. Përndryshe, nëse ka mundësi, por zgjedh të falet ulur sepse i vjen më lehtë, atëherë namazi i tij nuk është në rregull. Por, kjo dispozitë dallon për namazin vullnetar, i cili lejohet të falet ulur apo në këmbë, mirëpo gjithmonë duke pasur parasysh se namazi ulur ka gjysmën e shpërblimit të namazit në këmbë, e po ashtu, namazi shtrirë ka gjysmën e shpërblimit të namazit ulur, bazuar në hadithin e saktë të Pejgamberit ﷺ. Kurse ulja drejtpërdrejt në tokë është më e mirë se ulja në karrige, e sidomos duke sjellë ndër mend se karrigia shpeshherë pengon ata që falen pas personit të ulur në të, andaj, zgjidhja më e mirë do të ishte që personi që falet në karrige të pres pakëz derisa të formohen safat, pastaj të vendoset me karrigen e tij në safin (rreshtin) e fundit.
Në rastin konkret, përderisa personi ka problem me lakimin e gjurit, apo cilësdo pjesë tjetër të trupit, atëherë nëse ka mundësi të qëndrojë në këmbë, e fillon namazin në këmbë me tekbir, pastaj falet normalisht derisa të vijë koha e rënies në sexhde, me ç’rast ai nuk bie në sexhde por ulet në karrige dhe e kërrus gjoksin aq sa ka mundësi si imitim i sexhdes, pastaj kështu vepron edhe në rekatet tjera, gjithmonë duke qëndruar në këmbë në pjesën e parë të rekatit, pastaj ulur në pjesën e sexhdes.
Mirëpo, nëse supozojmë se personi në fjalë nuk guxon t’i mbështesë duart në gjunjë gjatë bërjes së rukusë, apo nuk guxon t’i tendosë gjunjët, atëherë edhe rukunë e bën ulur, vetëm se në këtë rast, kur e bën rukunë (ulur) e kërrus gjoksin më pak, përafërsisht sa gjysma e kërrusjes së plotë, ndërsa për sexhde e kërrus gjoksin deri sa ka mundësi më afër gjunjëve.
E, po qe se s’mund ta bëjë asnjërën prej këtyre, atëherë e fillon namazin ulur dhe e mbaron ulur.
Në secilin rast falësi i namazit e ka shpërblimin e plotë te Allahu i Lartësuar pasi që është i detyruar ta falë namazin në këtë formë, bazuar në rregullin e fikhut (ligjislacionit Islam) që thotë: “Domosdoshmëritë i bëjnë të lejuara edhe gjërat që në parim janë të ndaluara.”
Allahu e di më së miri!
Hekuran Elshani
——————
[1] Buhariu, 1117
[2] Muslimi, 730/1703