Pyetja:

Kam bërë punë të ndaluar e për to kam marrë të holla. A jam e detyruar pasi që jam penduar t’ua kthejë të hollat atyre që m’i kanë dhënë?

***

Përgjigjja:

Personi i cili bën punë të ndaluara ose bën shërbime të ndaluara dhe për to merr të holla, nëse pendohet, duhet të pastrohet nga ajo pasuri, por nuk duhet t’ia kthej atyre që ua ka marrë. Zinaqarja e cila merr të holla për zina, nëse pendohet ato të holla nuk ia kthen zinaqarit. Këngëtari, i cili merr të holla nga këngët e pandershme, po të pendohet nuk ia kthen ato pronarit. Shitësi i alkoolit ose i drogës nuk ia kthen të hollat tek ata që ua ka shitur, nëse pendohet. Dëshmitari i rrejshëm i cili merr ryshfet, nuk ia kthen të hollat atij që e ka përdorur si dëshmitarë të rrejshëm. Shkak për të është se nëse i penduari ia kthen pasurine e ndaluar mëkatarit, prej të cilit edhe e mori, atij i dyfishohet levërdia. Kjo nënkupton se ai po i ndihmon për t’i bërë edhe më tej mëkat Allahut, andaj duhet të pastrohet nga ajo pasuri. Ky është edhe mendimi kah anon Ibn Tejmije dhe nxënësi i tij Ibn Kajimi.

Shejh Salih el-Munexhid, “Dëshiroj të pendohem por….”

Përktheu: Ekrem Avdiu