Pyetja:

A kanë mëkat ata muslimanë të cilët nuk e punojnë tokën?

***

Përgjigjja:

Zoti në Kuran thotë: “Pastaj në atë ditë do të pyeteni për të mirat (e dunjasë).” (Tekathur: 8)

Çdo begati që Allahu ta kanë dhënë do të pyes për të: ‘A e ke përdorur si duhet? A e ke shfrytëzuar si duhet? Si je sillur karshi asaj begatie? A e ke falenderuar Allahun për atë begati?’

Do të thotë begatia ka përgjegjësi, karshi çdo begatie kemi përgjegjësi. Abdurrahman Ibn Au’fi, një nga shokët e Pejgamberit ﷺ, kur ka pirë ujë të ftohtë në vapën e shkretëtirës, ngase ai ka qenë ndër të pasurit, dhe posa ka pirë ujin e ftohtë filluan t’i rrjedhin lotët. E kanë pytur se pse po qante dhe ai u përgjigj: “Allahu ka thënë në Kuran: ‘Atë ditë do të pyteni për begatitë.’, e kjo është ndër begatitë që po e kam brengë se a do mundem ta falenderojë Allahun për të.” (Interpretimi i kuptimit)

Andaj uji është begati, ajri dhe gjtihçka tjetër është begati. Ne duhet që këto begati t’i shfrytëzojmë ashtu siç ka thënë Allahu, aq sa kemi mundësi dhe të jemi ndaj Tij falenderues.

Edhe toka si pasuri është begati. Njeriu duhet ta punojë tokën, duhet me shiju këtë begati. Nëse ka angazhime, shembull i ka mbetur toka trashëgimi dhe ka mbetur e papunur prej kohësh, atëherë ai duhet të interesohet që ta paguajë dikë për ta punuar atë tokë nëse ka mundësi, meqë personalisht nuk mundet ta bëjë. Ose të ia jap dikujt për ta punuar, dhe këtu mund të bësh marrëveshje që një përqindje të fitimit ta marrësh ti dhe pjesën tjetër personi që e punon, nuk ka rëndësi se sa përqind me rëndësi të punohet toka.

Mirëpo, nuk është mirë të lihen tokat e papunuara ngase fatkeqësisht është një faktor tregues i një dembelie shoqërore dhe ne e dimë se sa rëndësi ka për një popull bujqësia por edhe blegtoria.

Pavarësia jonë bujqësore është shumë e rëndësishme. Pse mos të kemi ne mjaftueshëm pemë dhe perime për të përmbushur nevojat e tregut tonë vendor dhe mos të marrim nga jashtë ngase ne nuk dimë as se si përpunohen dhe prej nga saktësisht vijnë ato që ne konsumojmë dhe nuk kemi kurrfarë garance për to. Andaj gjithë ato toka që na ka dhënë Allahu t’i punojë njeriu. Dhe ka shumë mundësi tani t’i punojë, nëse vetë nuk ka kohë ia jep dikujt me marrëveshje. Më parë njerëzit kanë lëshuar toka me qera, e lëshon me një shumë simbolike me qera dikush e punon dhe kështu përfiton prej saj.

Nuk duhet lënë tokat shkretë. Ose së paku të ndërtohet dicka në to që ia sheh hajrin vetëm të mos lihen ato të pa shfrytëzueshme dhe të mjaftohen me një shumë të caktuar të hyrash, ngase tokat janë dhe kanë bereqet.

Kështu që po përsëris se njeriu duhet të jetë përgjegjës ndaj begative, nuk dua që këtë ta ngris në nivelin juridik dhe të themë se njeriu e ka borxh që të punojë tokën ngase ka arsye të ndryshme se pse disa nuk munden ta punojën tokën që posedojnë, por po themë se në kuptimin moral, kuptim të përgjegjësisë që kemi ndaj saj duhet të gjejmë një zgjidhje për tërë këto toka të papunuara dhe të pashfrytëzuara.

Allahu na përmirësoftë gjendjen!

Hoxhë Enis Rama

Comments are closed.