Pyetja:
Si duhet të mbahen duart pas tekbirit fillestar dmth pasi të lidhemi në namaz, dhe tespiht a bëhen pas farzit apo në fund të namazit?
***
Përgjigjja:
Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Së pari: Duart në namaz lidhen duke kapur me dorën e djathtë të majtën dhe duke i vendosur ato në gjoks.
Thotë Vail ibn Huxhr: “Jam falur me Pejgamberin ﷺ dhe ai e vëndoi dorën e djathtë mbi dorën e majtë, në gjoksin e tij.” [1]
Së dyti: Dhikri (tespitë) bëhet pasi të falet farzi. Kështu i kanë kuptuar hadithet të cilat flasin për dhikrin pas namazit shumica e dijetarëve, duke i bashkuar hadithet që flasin për këtë dhe hadithin, i cili thotë: “Pas çdo namazi farz, thuhet: Tridhjetë e tri herë Subhanallah, tridhjetë e tri herë Elhamdulilah dhe tridhjetë e katër herë Allahu Ekber“. [2]
Ndërsa disa prej dijetarëve, janë të mendimit se dhikri bëhet pasi të përfudojë namazi në tërësi.
Thotë Shejh Albani: “Kush thotë prej medhhebeve se dhikri bëhet pas sunetit (të fundit), ai për këtë nuk ka ndonjë argument dhe me këtë e kundërshton hadithin (e lartpërmendur) dhe hadithet e ngjashme me të, të cilët janë argumente të qarta për këtë çështje.” [3]
Edhe pse nëse njeriu e vonon dhikrin deri në fund të gjithë namazit (d.m.th. pas sunetit), ai megjithatë ka shpërblim për dhikrin që e bën, vetëmse nuk e ka atë të plotë dhe në vendin e tij.
Thotë Ibn Haxher El-Hejtemij: “Nuk e humbë shpërblimin e dhikrit, ai që e falë sunetin (para se të bëjë dhikrin pas farzit), por e humbë shpërblimin e plotë të tij.” [4]
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami
—————————————-
[1] Ibn Huzejmeh dhe shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë – El-Irva’ , 352.
[2] Muslimi, 596.
[3] Silsiletu Sihiha, 102.
[4] Tuhfetul Muhtaxh 2/105.
Comments are closed.