Pyetje: Një njeri është i martuar me një grua muslimane të ndershme, i cili i falë 5 kohë namaz edhe është i devotshëm elhamdulilah por ja nje natë dështon dhe bie në zina me një femer lavire tjetër. Ai njeri ka qenë i devotshëm dhe është i devotshëm dhe ende fal 5 kohë namaz por ja vetëm një herë ka gabuar por tash qan çdo natë për gabimin e bërë dhe ka deshirë me dëgju me tepër prej juve.
Përgjigje: Alejkum selam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Vëlla i dashur, Allahu (azzevexhel) jo rastësisht ka ndaluar që njeriu mos t’i afrohet fare këtij mëkati, se nëse merren shkaqet, atëherë shumë lehtë pastaj vjen edhe te rënia në këtë mëkat. Allahu (azzevexhel) këtë mëkat të madh e ka përmendur afër vrasjes së njeriut dhe adhurimit të dikujt tjetër pos Allahut dhe ka thënë: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai do të gjen ndëshkim. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kijametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë” (Furkan 68/69). E që përmendja e këtij mëkati, afër atyre mëkateve më të mëdhaja tregon se sa është i madh ky mëkat. Thotë Imam Sefarini: Prostitucioni është mëkati më i madh pas shirkut dhe vrasjes së njeriut.
E ky mëkat është edhe më i madh, nëse vepruesi i tij është i martuar. Gjithashtu Allahu (azzevexhel) ka caktuar dënime për vepuesin e këtij mëkati në këtë botë, në varr dhe në botën tjetër, nëse ai nuk pendohet.
E cili është ai njeri i cili ia don këtë mëkat familjes së tij? Cili veprues i këtij mëkati don që bashkëshortja e tij të bjen në këtë mëkat? Cili don që nëna, vajza, motra e tij të bien në këtë mëkat? Pa dyshim se askush. Andaj duhet pasur frikë Allahun, se edhe ajo me të cilën bëhet ky mëkat, edhe ajo është bashkëshorte, nënë, motër, apo vajzë e dikujt.
Megjithatë, edhepse ky mëkat është ndër mëkatet më të mëdhaja, Allahu (azzevexhel) nuk i mbyll dyert e pendimit edhe për vepruesin e tij. Allahu (azzevexhel) thotë: “Thuaj: O robërit e mi të cilët e keni tepruar (me mëkate) ndaj vetes suaj, mos i humbni shpresat në mëshirën e Allahut, se Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është Falës dhe Mëshirues”.
Andaj, muslimanit nuk i mbetet gjë tjetër pas gabimit të tij, përveçse t’i kthehet Allahut me sinqeritet dhe të kërkon falje tek Ai, e padyshim se Allahu i falë të gjitha mëkatet.
Ndërsa për të qenë pendimi i pranuar, patjetër duhet të plotësohen edhe kushtet e tij, si:
1-Pendimi të jetë i sinqertë vetëm për Allahun,
2-Largimi dhe distancimi nga mëkati i vepruar (si dhe nga të gjitha ato gjëra që të afrojnë në këtë mëkat),
3-Keqardhja për veprimin e mëkatit,
4-Dhe vendosshmëria për të mos u kthyer asnjëherë më në atë mëkat.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami