Pyetje:
Desha të pyes për çrregullimin menstrual. Nga çrregullimi, ndonjëherë nuk kam gjakderdhje të rregullt, por vetëm shenja me ngjyrë kafe dhe me aq e përfundoj periudhën e ciklit. Ndonjëherë, ngjyra e kaftë është paralajmëruese për gjakderdhjen normale, por ka raste që kam shenja të kafta para kohës së ciklit dhe ato janë njësoj si shenjat e ciklit, madje edhe dhimbja e barkut është e njëjtë. Si të veproj në këtë rast? Edhe pse nuk kam gjakderdhje, a duhet të vazhdoj agjërimin dhe namazin apo ta konsideroj si cikël?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
Sa i përket sekrecioneve të verdha dhe të kafta, duhet të kemi parasysh se, sipas kohës së shfaqjes së tyre, ato kanë edhe gjykimet përkatëse:
1. Nëse këto shenja të kafta dhe të verdha shfaqen gjatë kohës së menstruacioneve, ato llogariten si menstruacione dhe gruaja duhet të presë derisa të pastrohet, derisa të shohë sekrecionin e bardhë. Kjo bazohet në hadithin e Aishes -radiAllahu anha- që u thoshte sahabijeve të prisnin derisa të shihnin sekrecionin e bardhë.
2. Nëse këto shenja të kafta apo të verdha shfaqen pas menstruacioneve dhe pas paraqitjes së sekrecionit të bardhë, atëherë ato nuk llogariten si menstruacione, por konsiderohen si pastrim. Në këtë rast, gruaja është e obliguar të falet dhe të agjërojë. Argument për këtë është hadithi i Umu Atijes, e cila thotë: “Ishim që nuk e llogarisnim sekrecionin e kaftë dhe as atë të verdhë si asgjë (pas pastrimit).”
3. Nëse këto sekrecione shfaqen në fillim të menstruacioneve, në kohën kur gruaja i pret menstruacionet, ato llogariten si menstruacione.
Tek shumica e femrave, menstruacionet janë me rrjedhje gjaku me nuanca të ndryshme. Ato fillojnë me ngjyrë të errët, pastaj zbehen derisa të bëhen të kafta dhe të verdha për disa ditë, dhe në fund shfaqet një shenjë që tregon se ovulacioni ka përfunduar (sekrecioni i bardhë). Mund të ndodhë edhe e kundërta: të fillojë me ngjyrë të kaftë, pastaj të errësohet. Dallimi qëndron te sasia, e cila ndryshon nga femra në femër gjatë ovulacionit.
Thënia e dijetarëve se sekrecionet e kafta dhe të verdha gjatë kohës së menstruacioneve janë menstruacione, përfshin edhe fillimin e menstruacioneve.
Allahu e di më së miri.
/Dr. Adelina Kucana/