Pyetje:
Koncepti i “karmës” është futur dhe në fjalorin e muslimaneve, sidomos adoleshentëve por dhe fëmijëve. Faktin se nuk ekziston rimishërimi e kuptojnë, por sapo i ndodh diçka e papëlqyeshme dikujt e emërtojnë “instant karma”, e përkthyer si “karma e çastit”, po ashtu të thonë po ne e kemi këtë në Islam, se çdo njeri do shpërblehet për atë që bën qoftë e mirë apo e keqe.
Në kërkimin që bëra për t’ju shpjeguar fëmijëve se nuk kemi karma në Islam, më doli koncepti i “kifarah”, që e përdorin në vend të “Karma”, a është i saktë ky paralelizëm?

Përgjigja:

Përdorimi i fjalës “karma” është i gabuar në Islam, sepse ajo buron nga një besim që mohon njësinë e Allahut, faljen dhe jetën e përtejme, dhe fut ide të rrezikshme në zemrën e besimtarit

 Së pari: çfarë është “karma”?
Fjala karma vjen nga sanskritishtja dhe do të thotë “veprim”. Në thelb, ajo nënkupton se çdo veprim që një person bën (i mirë apo i keq) kthehet te ai në këtë jetë ose në një jetë tjetër, si ndëshkim ose shpërblim automatik pa nevojë për drejtim hyjnor. Në këtë koncept, njeriu ndëshkohet ose shpërblehet përmes një ligji të fshehtë universal, pa ndërhyrje nga një Zot.

Së dyti: Fakti që ata e kuptojnë se nuk ekziston rimishërimi, kjo është gjë shumë e mirë, por duhet kuptuar gjithashtu se në Islam nuk kemi karma, por kemi një Zot që është i Drejtë dhe shumë i Mëshirshëm; që na shpërblen për të mirat edhe nëse askush nuk i sheh, dhe ndonjëherë na jep sprova për gabimet, por që të na pastrojë, jo për të na dënuar si dënim automatik si karma. Dhe nëse pendohemi, Ai na fal.

A nuk kemi në Islam shpërblim dhe ndëshkim për veprat?
Po, patjetër që kemi, por kjo nuk quhet karma, është:
1- Ligj i Allahut në këtë jetë.
Njerëzit shpesh shohin pasojat e veprave të tyre në këtë jetë, por kjo nuk është automatike si në karma; është me urtësinë dhe mëshirën e Allahut.
Kështu nëse një fëmijë rreh tjetrin dhe më pas rrëshqet e bie, kjo nuk është instant karma, por ndoshta është një sprovë për ta kuptuar se dhuna nuk është rrugë e drejtë.
Dhe nëse një vajzë ndihmon një shoqe dhe më vonë dikush tjetër e ndihmon atë, kjo është shpërblim nga Allahu që e do të mirën.

2. Drejtësia e Allahut në jetën e përtejme (Ahiret).
Allahu ka premtuar se çdo vepër, sado e vogël, do të shpërblehet ose ndëshkohet në botën tjetër:
فَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًۭا يَرَهُ ۥوَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍۢ شَرًّا يَرَهُۥ
“Kush bën një të mirë sa grimca, do ta shohë atë. Dhe kush bën një të keqe sa grimca, do ta shohë atë.”(Sure Ez-Zelzele, 7–8)
➖Në konceptin e karmës nuk ka falje, por veprat ndëshkohen patjetër, ndërsa në Islam Allahu fal nëse robi pendohet sinqerisht.
➖Në konceptin e karmës drejtësia është e verbër dhe mekanike (nuk dallon qëllimin e veprës), ndërsa në Islam Allahu është i Drejtë dhe i Mëshirshëm di qëllimin dhe rrethanat.

▣ Së treti: Kefarah nuk është karma.
Fjala kefarah në Islam ka një kuptim specifik, ajo është shlyerja e mëkateve, që mund të ndodhë nëpërmjet:
1- sprova që të ndodhin në këtë botë,
2- veprave të mira që i fshin të këqijat,
3- ose veprimeve të caktuara që i detyrohen besimtarit për të shlyer ndonjë shkelje (si kefare për betimin, për agjërimin e prishur etj.).

✔️Kefarah është mëshirë e Allahut për besimtarin që mëkatet e tij të shlyhen në këtë jetë para Ditës së Gjykimit.
Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:
“Nuk goditet muslimani me ndonjë sprovë, qoftë lodhje, sëmundje, brengë, pikëllim, shqetësim apo edhe një therje gjembi, vetëm se Allahu ia shlyen mëkatet me të.”
(Mutefekun alejhi)
Pra, ndryshe nga karma, që është një dënim i verbër dhe i pandalshëm ose një fuqi e fshehtë që të ndëshkon, kefarah është mëshirë dhe edukim nga Allahu, që ndodh për të pastruar robin dhe për ta afruar më shumë tek Zoti i tij.

Së fundi: Nëse nuk i japim rëndësi termave që përdorim me kohë, fillojmë të besojmë siç besojnë ata që i shpikën këto fjalë. Fjala karma, për shembull, nuk është thjesht një mënyrë popullore për të thënë: çfarë bën, të kthehet, por vjen nga një sistem besimi që mohon njësinë e Allahut, parimin e faljes, dhe realitetin e jetës së përtejme siç e besojmë ne muslimanët.
Kur përdorim fjalë të tilla, pa vetëdije i japim vend ideve të rrezikshme në zemrat tona dhe të fëmijëve tanë. Islami nuk është thjesht një listë rregullash, është një botëkuptim i plotë që na mëson si ta kuptojmë jetën, dhimbjen, gëzimin, ndëshkimin dhe shpërblimin. Zoti ynë nuk është energji e verbër që kthen mbrapsht veprat. Ai është i Gjallë, i Ditur, i Drejtë dhe i Mëshirshëm. Prandaj, kur flasim për çfarë na ndodh në jetë, duhet të përdorim gjuhën e pastër dhe të saktë që Allahu na ka dhuruar për të përshkruar gjithçka: kemi kifarah, sprovë, shpërblim, ndëshkim, falje, mëshirë, drejtësi hyjnore; sepse gjuha që zgjedhim është pasqyra e besimit tonë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Adelina Kuçana