Pyetja:
Disa vajza kanë flokë të buta, dëshirojnë t’i bëjnë kaçurrela, duhet pasur parasysh se kjo vepër e ka zanafillën nga Perëndimi, ndaj, a lejohet kjo?
Përgjigje:
Dijetarët thonë: Nuk ka pengesë nëse femra i bën flokët kaçurrela dhe kjo është bazë. Por, nëse për t’i bërë flokët kaçurrela vajzën e nxit pasimi i grave jomuslimane, i grave të degjeneruara, nuk lejohet.
I këshilloj motrat muslimane të evitojnë pasimin e grave jomuslimane dhe Perëndimit, ngaqë gruaja nuk është krijuar për t’u zbukuruar, mirëpo qëllimi kryesor i krijimit është adhurimi i Allahut, subhanehu ue teala, i Cili thotë:
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as s’dëshiroj të më ushqejnë ata. Allahu është furnizues i madh. Ai, Fuqiforti.”
— Edh-Dharijat, 56-58
Nëse femrës i hapen dyert për t’u zbukuruar dhe pasuar gratë jomuslimane dhe ato të degjeneruarat, për t’u zbukuruar me rroba që s’janë prej traditës islame, s’ka dyshim që femrat nuk do t’u përmbahen këtyre kufijve, por do t’i anashkalojnë deri sa të veshin rroba që me pajtimin e gjithë dijetarëve janë haram.
Ndaj i këshilloj që të jenë sa më vigjilente mbi kurthet e armiqve të Allahut, t’i frikësohen Atij dhe t’i evitojnë këto vepra të kota.
Njëkohësisht, i këshilloj kujdestarët e këtyre femrave që t’i pengojnë nga ky pasim i verbër i Perëndimit dhe nga stolisja me rroba që nuk janë të moralshme.
Befasohem me këto gra të cilat distancohen nga rrobat që janë përplot moral dhe edukatë dhe jepen pas rrobave të një populli që janë e kundërta e tyre.
E gjithë kjo rezulton se personat që ndjekin Perëndimin verbërisht nuk kanë personalitet, ngaqë është pajtuar të pasojë e jo të pasohet.
Ndërsa, nëse rrobat nuk i përmbushin as standardet dhe as kriteret islame, atëherë ky person në të vërtetë ballafaqohet me problem edhe më të madh se i pari, e ai është dobësimi i imanit.
/Shejh Uthejmini/




