Pyetje:
A mund të marrim kredi të buta për strehim që ofron shteti?
Përshkrimi i situatës: Kredi me % të ulëta interesi ose me 0% që ofrohen nga shteti për njerëzit me të ardhura të ulëta ekonomike, të cilët nuk kanë banesë në pronësi ose banesa që kanë nuk është e përshtatshme.
Përgjigjja:
Sa i përket pyetjes rreth kredive të buta, nuk e di, domethënë si term nuk është se e kam dëgjuar shumë. Por, nëse bëhet fjalë për të marrë kredi nga banka me kamatë, mirëpo kamatën e paguan shteti dhe ai që merr borxhin paguan vetëm borxhin fillestar kjo është e njohur në shumë shtete që kanë orientim social për t’u ndihmuar njerëzve përsëri kjo nuk lejohet.
Sipas pothuajse të gjithë dijetarëve, kjo nuk lejohet edhe nëse kamatën ta paguan dikush tjetër. Përderisa është borxh me kamatë dhe ti hyn në një transaksion që përmban kamatë, kjo mbetet e ndaluar. Nuk ka rëndësi nëse ta paguan shoku, shteti apo firma ku punon; nëse në kredi parashihet kamata, nuk lejohet marrja e saj.
Nga ana tjetër, nëse banka ofron kredi pa kamatë për çështje të caktuara, si për shtëpi apo bujqësi, dhe ndal vetëm disa tarifa për shërbime administrative (për të mbuluar shpenzimet e punonjësve dhe menaxhimin), kjo nuk përbën problem. Këto tarifa nuk llogariten si kamatë, por si shpenzime reale që banka i kryen për të mundësuar dhënien dhe mbledhjen e atij borxhi.
Për sa i përket çështjes nëse shtëpia apo banesa konsiderohet si një nevojë e domosdoshme që të lejon marrjen e kamatës, kjo nuk qëndron. Pjesa dërrmuese e botës, ndoshta mbi 60% e njerëzve, jetojnë me qira dhe nuk u rrezikohet jeta apo shëndeti nga kjo. Njeriu sigurisht ndihet më komod në shtëpinë e vet, por durimi ndaj vështirësive të qirasë për të shmangur kamatën është pikërisht vendi ku dëshmohet besimi.
Të jesh mysliman do të thotë t’i përmbahesh programit që ka caktuar Allahu. Në këtë rrugë duhet të sakrifikojmë disa gjëra për hir të Tij. Nëse për çdo leverdi të kësaj bote qoftë puna, shamia apo shtëpia — ne e lëmë anash fenë, atëherë çfarë kemi sakrifikuar realisht për Allahun?
Shumica dërrmuese e dijetarëve vlerësojnë se shtëpia nuk konsiderohet nevojë ekstreme që justifikon kamatën, përveç rasteve shumë specifike që trajtohen veçmas. Prandaj, për një person që jeton me qira si shumica e njerëzve, marrja e kredisë me kamatë për të blerë shtëpi nuk lejohet.”
/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/




